Ksamil: Zhvillohet Turneu i Parë Ndërkombëtar i Footvolley në Shqipëri – Sporti që Synon të Rrisë Turizmin
Këtë fundjavë u organizua në Laguna Beach në Ksamil Turneu i Parë Ndërkombëtar të Footvolley, një ngjarje sportive novatore për vendin tonë, që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Ky aktivitet u zhvillua me inisiativën dhe mbështetjen e Laguna Beach Ksamil dhe mblodhi së bashku 6 ekipe nga 5 shtete të ndryshme: Brazili, Portugalia, Franca, Austria dhe Shqipëria – duke sjellë një atmosferë dinamike dhe ndërkombëtare në jugun piktoresk të vendit.
Footvolley është një sport i ri dhe i veçantë që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në nivel global. Ai kombinon elementë të volejbollit me një format loje argëtues dhe spektakolar, që përshtatet në mënyrë të shkëlqyer me destinacione turistike bregdetare si Ksamil.
Organizatori i turneut, Isli Bejtaga, u shpreh se ky sport po vjen për herë të parë në Shqipëri me një mision të dyfishtë: “Synimi ynë nuk është vetëm të sjellim një sport të bukur dhe të ri për publikun shqiptar, por edhe të kontribuojmë në promovimin e turizmit përmes eventeve të tilla ndërkombëtare. Shqipëria ka potencialin e duhur për t’u kthyer në një pikë referimi për aktivitete sportive dhe kulturore me përmasa globale.”
Turneu tërhoqi vëmendjen e pushuesve vendas dhe të huaj, ndërsa ambienti miqësor dhe bashkëpunues mes ekipeve i dha aktivitetit një frymë të veçantë bashkimi dhe diversiteti kulturor.
Ky është vetëm hapi i parë drejt një rrugëtimi më të madh për Footvolley në Shqipëri, me shpresën që vitet në vijim, turneu të zgjerohet dhe të bëhet një pikë referimi e përvitshme në kalendarin turistik dhe sportiv të vendit.
KsamilI, me natyrën e tij të mrekullueshme dhe energjinë pozitive që dhuroi ky aktivitet, u shndërrua për një fundjavë në një skenë të vërtetë të sportit dhe mikpritjes ndërkombëtare.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb