FOTO/ Hotele, bare dhe restorante, zbardhet plani i biznesit për Butrintin

Pikërisht te shpenzimet është e përqendruar edhe “hilja” e marrëveshjes që parashikon investime nga Fondacioni që do ta marrë në përdorim parkun kombëtar të Butrintit.

Parku Kombëtar i Butrintit, një nga asetet historike dhe kulturore më të mëdha kombëtare do të mbushet në të ardhmen e afërt me lokale, restorante e hotele. Ministria e Kulturës ka prezantuar një projektligj për dhënien me koncesion të Butrintit një Fonacioni të posaçëm për 10 vitet e ardhshme.

Pavarësisht se ishte mbajtur si “sekret”, presioni i madh nga mediat bëri që Ministria të “zbulojë” marrëveshjen në të cilën qartësohet i gjithë ajo që ministrja Elva Margariti e cilësoi si plani i biznesit.

Sipas marrëveshjes së detajuar, tregohet se për rijetëzimin e Butrintit: “Nevojitet një investim total kapital prej 7.5 milionë USD, ku 39% e të cilit do të shpenzohet për konservimin e sajtit dhe 61% për ndërtimin e strukturave të reja për vizitorët dhe stafin, i shpërndarë në 4 vitet e para”. Pikërisht te shpenzimet është e përqendruar edhe “hilja” e marrëveshjes që parashikon investime nga Fondacioni që do ta marrë në përdorim parkun kombëtar të Butrintit.

Aty parashikohet se nëpërmjet ngritjes së hoteleve, restoranteve, bareve dhe strukturave të ngjashme do të rriten të ardhurat për banorëve vendas, që do të punësohen.

“Plani i biznesit përcakton mënyrën e drejtimit dhe menaxhimit ditor të sajtit, rekomandon investimet e reja kapitale, shpjegon pritjen e turistëve dhe akomodimin e tyre në raste nevoje, përfshirjen e banorëve vendas dhe merr në konsideratë angazhimin e tyre të plotë në Parkun Kombëtar për një periudhë afatgjatë.

Mund të parashikohen edhe shumë rezultate të tjera të pamatshme që mund të jenë njësoj të vlefshme, si: mirëqenia e Zonës A3 dhe Parkut Kombëtar përreth tij nëpërmjet largimit të mbetjeve plastike dhe të tjera, punësimit të banorëve vendas si udhërrëfyes, varkëtarë dhe zejtarë dhe rritjes së të ardhurave të banorëve vendas nëpërmjet ngritjes së hoteleve, restoranteve, bareve dhe strukturave të ngjashme”, thuhet në marrëveshje.

ZBATIMI I PLANIT TË BIZNESIT

Por sipas kësaj marrëveshjeje, rezulton që ndërtimet në këtë zonë më rëndësi kombëtare kulturore dhe historike, do zhvillohen biznese që nuk kanë asnjë lidhje me as me arkeologjinë, as me trashëgiminë dhe as me gërmimet për zbulime të reja. Plani i Biznesit, që përmendet mbi 200 herë në marrëveshje, parashikon përfitime private të bizneseve, që do shkojnë në xhepat e individëve qe do shfrytëzojnë për këtë një pasuri kombëtare dhe të trashëgimisë botërore.

Ministrja Margariti theksoi se për këtë marrëveshje është dhënë dakordësia e UNESCO-s dhe Instituti i Arkeologjisë, por nuk dihet nëse këto dy institucione janë në dijeni të detajeve dhe kushteve të marrëveshjes mes Ministrisë dhe Fondacionit ShqiptaroAmerikan, AADF. Në marrëveshje Ministria sugjeron që:

“’Hotel Livia’ është ndërtesa më e madhe jo historike dhe me akses të plotë kudo në Qytetin Antik dhe mund të bëhet pjesë e sajtit nën pronësinë dhe menaxhimin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit, si një hotel me funksionim të plotë, të ardhurat e të cilit do të ndihmojnë në mirëmbajtjen e Zonës A3.

Rekomandohet që ‘Hotel Livia’ duhet të blihet nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit dhe të bëhet pjesë e menaxhimit të Zonës A3, sa më shpejt që të jetë e mundur”. Po ashtu, në marrëveshje fitet edhe për rolin që do marrë ajo që njihet si “Shtëpia e Doganës”.

“Kompleksi i ndërtesave brenda dhe rreth ‘Shtëpisë së Doganës’ në brigjet e Kanalit të Vivarit përballë kalasë së ‘Ali Pashës’, ndërtuar mbi themelet e një vile romake buzë detit, ofron pamje spektakolare nga Kanali i Vivarit, Gjiri i Butrintit dhe deti Jon. Jo më larg se 1.5 km nga qendra e propozuar e vizitorëve, siti mund të shndërrohet për akomodim hoteli. Ai duhet të merret në konsideratë si një opsion për Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit, pasi kthimet në atë hotel, me restorante dhe shërbime të tjera, mund të jenë thelbësore dhe do të garantonin një të ardhme të qëndrueshme për sitin, nën menaxhimin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit”, thuhet në marrëveshje. Panorama.com.al

Please follow and like us:
fb-share-icon