Gjuetia e paligjshme e daterit po shkatërron jetën nënujore të rivierës shqiptare

Tregtimi i daterit, moluskut gurëshpues, është i ndaluar në Shqipëri për shkak të dëmtimit që shkakton nxjerrja e tij ndaj jetës detare. Megjithatë, restorantet e reklamojnë hapur në Instagram dhe peshkatarët e shesin lirisht, ndërsa institucionet përgjegjëse bëjnë një sy qorr.

Një pjatë dater ‘saute’ në vaj ulliri  kushton mesatarisht 1500 lekë në restorante dhe një kilogram shitet i gatuar deri në 6 mijë lekë.

Për klientin që ia mban xhepi, ushqimi duhet të jetë vërtetë i veçantë, por për aktivistët mjedisorë, delikatesa kulinare është provë e krimit mjedisor që po shkatërron jetën nënujore në rivierën shqiptare.

Për arsye se dateri e krijon folenë e tij në shkëmb, ata që merren me gjuetinë e daterit e thyejnë shkëmbin, bashkë me thyerjen e shkëmbit prishet e gjithë jeta që është e ndërtuar mbi të,” tha Adriatik Selami, instruktor zhytje në “Oazi Blu”.

Pra është njësoj si të prishësh një qytet për të marrë një person, një individ të caktuar,” shtoi ai.

Gjuetia e daterit është e ndaluar me ligj. Dateri vetë është një specie e rrezikuar, e listuar në Librin e Kuq të miratuar nga Ministria e Mjedisit që nga viti 1996.  Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu disa konventa ndërkombëtare që mbrojnë gurëshpuesin, ndërsa qeveria ka miratuar një ligj të posaçëm të mbrojtjes së daterit në vitin 2012.

Por aktivistët në mbrojtje të mjedisit thonë se gjuetia e paligjshme vazhdon lirisht dhe po shkatërron përveç daterit, edhe ekosistemin dhe jetën e shkëmbinjve nënujorë.

“…Nga brenda gjirit nuk ekziston më dater dhe ata janë duke vazhduar derisa ta mbarojnë të gjithë Karburunin dhe ndoshta edhe më tej”, shprehet  Simo Ribaj, kryetar i shoqatës ‘Social Education & Environment Protection’, SEEP Albania

Dhe të gjithë vizitorët që mund të shikojnë litoralin nënujor të Karaburunit në anën lindore të tij do të shikojnë një gur të thyer, të vdekur, asgjë tjetër, një gurore,” shtoi ai.

Edhe pse i ndaluar me ligj, dateri shitet lirisht në restorantet e produketeve të detit në Vlorë dhe qytete të tjera dhe reklamohet po aq lirisht në faqet e tyre në rrjetet sociale. Megjithatë, institucionet kontrolluese si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Policia e Shtetit që duhet të penalizojnë këtë tregti, i thanë BIRN në përgjigje të kërkesave për informacion se nuk kishin identifikuar asnjë rast.

Nga institucionet shtetërore, vetëm drejtuesit e Administratës së Zonave të Mbrojtura e pranuan problemin, ndërsa thanë se në disa vende dëmet ishin të pakthyeshme.

Gjithë pjesa e bregdetit përreth ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit ka dater dhe është një habitat për jetesën e këtij lloji, por për fat të keq dëmtuar në mënyrë pothuaj të pakthyeshme nga marrja e paligjshme e këtij lloji,” tha Lorela Lazaj, drejtore e Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë.

Lazaj thotë se institucioni që drejton nuk ka mundësi të kontrollojë territorin e gjerë që ka në administrim dhe ku zhvillohet gjuetia e paligjshme e daterit. Atyre u mungojnë burimet njerëzore dhe mjetet financiare, por shpresojnë të arrijnë rezultate duke sensibilizuar konsumatorët.

Konsumatorët, të cilët duhet të njihen me faktin që ky lloj është një lloj që ka një mbrojtje të veçantë. Është një lloj i rrezikuar në listën e specieve të rrezikuara,” shtoi ajo.

Vjelja e daterit është bërë problem edhe për peshkatarët e ligjshëm, që e shohin atë si arsye për pakësimin e sasive të peshkut të egër në Gjirin e Vlorës.

Ujërat tona kanë qenë të pasura me këto specie dhe falë këtyre specieve kemi pasur edhe një bollëk në sasira peshkore. …Një nga faktorët e rrallimit të specieve peshkore është edhe gjuetia e kësaj specie,” theksoi Sherif Dyrmishi, nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit në Vlorë

Aktivistët mjedisorë dhe peshkatarët e ligjshëm janë të shqetësuar nga mungesa e vullnetit për të ndaluar shkatërrimin që vijon prej vitesh dhe u bëjnë apel institucioneve që të ndalin gjuetinë e paligjshme.

Deti ka mundësira të jashtëzakonshme të tjera, nuk kemi pse të shkatërrojmë atë që do na duhet përjetë, për fëmijët dhe brezat që vijnë në vijim,” përfundoi Dyrmishi. / Jerola Ziaj, REPORTER.AL

VIDEO

Please follow and like us:
fb-share-icon