Gjykata e Sarandës ka caktuar “Arrest në burg” për biznesmenin Erdion Muho, të dyshuar për veprën penale “shkatërrim prone me eksploziv” në bashkëpunim mbetur në tentativë. Seanca në ngarkim të tij u zhvillua në Spitalin e Sarandës, ku Muho mbahet i izoluar prej ndalimit të tij mbrëmjen e 28 korrikut, për shkak të problemeve shëndetësore.
Gjyqtari Alban Veçani ka cilësuar të ligjshëm ndalimin e tij dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai ka pranuar kërkesën e Prokurores Besiana Sadikaj, e cila ka ngritur akuzë pas 1 muaj hetime në ngarkim të Muhos.
Gjatë gjithë seancës së caktimit të masës së sigurisë, Muho ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës duke u shprehur se “nuk kam lidhje fare me ngjarjen. Madje atë natë kam qenë në Korfuz. Nuk jam fajtor për çfarë ka ndodhur. Me Armandi Nelajn, si sarandiot i vjetër unë dhe ai, njihemi, por deri kaq, jo më shumë aq më tepër të kem bashkëpunuar me të. Asnjëherë nuk kam diskutuar me të për një veprim të tillë. Pra nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe motivet që dyshon Prokuroria”.
Avokati mbrojtës, Agron Lamaj, ndërsa është shprehur se klienti i tij është i pafajshëm, njëherazi i kërkoi trupit gjykues, që për klientin e tij të merret një masë më të lehtë, si ai i “arrestit në shtëpi”, për faktin se ai nuk mund të largohet nga Saranda dhe se është i gatshëm të jetë pranë organit të akuzës sa herë ta kërkojnë.