Ish prokurori i Sarandës Ilir Hoxha shkarkohet nga detyra, nuk justifikoi dot garazhin e babait

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën më 22 janar vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Ilir Hoxha. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungon.

Gjatë seancës dëgjimore më 18 janar, prokurori Hoxha dha shpjegime para Komisionit për bilancet negative në krijimin e disa pasurive; dyshimet e ngritura nga AKSIK për veprime të kundërligjshme në ushtrimin e detyrës; si dhe për gjejet të kriterin profesional, duke i kundërshtuar ato dhe pretendoi se kishte vërtetuar se plotësonte kriteret për t’u konfirmuar në detyrë.

Ilir Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si oficer i Policisë Gjyqësore, të cilën e ka ushtruar pranë Prokurorisë së Pogradecit. Në vitin 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa në 2023-in u transferua në Prokurorinë e Durrësit kue ushtroi funksionin deri në shkarkimin nga detyra.

KPK konstaton pamundësi të subjektit për blerjen e një garazhi 4.5 milionë lekë në vitin 2007 në Tiranë, duke rezultuar me bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë.

Prokurori Hoxha, e cilësoi objektiv hetimin e kryer nga Komisioni, megjithatë, ai i kundërshtoi barrat e provës duke pretenduar se kishte arritur të provonte të kundërtën. Subjekti shpjegoi se nuk kishte paguar ndonjë vlerë për garazhin, por se kishte qenë i detyruar të vijonte detyrimet kontraktore të lidhura nga babai i ndjerë, pasi ai kishte ndërruar jetë. Nga sa u relatua në seancë, u mësua se babai i subjektit, një ish-ushtarak në pension, kishte krijuar një aktivitet privat me veprimtari kryesore në sektorin e ndërtimit.

Sipas shpjegimeve të dhëna në Komision dhe gjatë seancës dëgjimore, kur babai kishte vendosur të transferohej për të jetuar në Tiranë, kishte rëndë dakord me pronarin e një trualli dhe një tjetër ortak në fushën e ndërtimit, për të ndërtuar një objekt me katër kate + papafingo, që përbëhej nga nëntë apartamente, dy njësi tregtare dhe dy garazhe.

Subjekti deklaroi se kur babai kishte ndërruar jetë në vitin 2011, ishte kontaktuar nga pronari i truallit ku ishte ndërtuar objekti se kishte mbetur pa shitur një garazh që i takonte të atit. Sipas Hoxhës, në vitin 2007 ishte dakordësuar mes babait, ortakut dhe pronarit të truallit se objekti do të ndërtohej pa leje dhe do aplikohej më vonë për regjistrim. Për këtë arsye, në kontratën e sipërmarrjes ishte përcaktuar mes të treve që procedurat e legalizimit t’i ndiqte pronari i truallit dhe pasi prona do të regjistrohej, do të ndahej ashtu si ishin dakordësuar.

Prokurori Hoxha deklaroi se pas regjistrimit të objektit në vitin 2013, pronari i truallit kërkonte të çlirohej nga pasuritë dhe ishte dakordësuar që kalimi i garazhit të realizohej me kontratë shitblerje.

“Kontrata e shitblerjes ishte i vetmi mjet ligjor për të përmbushur detyrimet e babait sipas kontratës së vitit 2007”, theksoi Hoxha dhe kërkoi që të interpretohet se cili ka qenë qëllimi i kontratës së shitblerjes të nënshkruar prej tij në qershor të 2013-ës, dy vjet pasi babai kishte ndërruar jetë.

Sipas subjektit, ishte e qartë se në këtë kontratë nuk mund të kishte ndonjë qëllim përfitimi pasi garazhi gjendet në bodrum dhe nuk kishte arsye për një investim të tillë. “Nuk mund të investoja për diçka që nuk mund të sillte të mira”, pohoi ai dhe ripërsëriti se ky transaksion ishte kryer për të përfunduar një proces të nisur nga babai.

Please follow and like us:
fb-share-icon