Finalizohet operacioni policor i koduar “Reset 2”, sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis që dyshohet se do të shitej me qëllim trafikimin në Greqi.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 33-vjeçari që transportonte lëndën narkotike, me automjet.
33-vjeçari i arrestuar theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, për të transportuar lëndën narkotike.
Gjatë operacionit, në fshatin Qeparo, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Enrik Proda 33 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas ka tentuar të largohet për të shmangur kontrollin e automjeti nga shërbimet e Policisë, por falë ndërhyrjes së menjëhershme nga ana e tyre, ai është kapur dhe vënë në pranga.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën 9 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike do të shitej me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të metejshme.