KAMENICA – Qyteti i braktisur i Kamenices ne Delvine
Në Shqipëri ruhen shumë fshatra mesjetare të rrënuara, me rëndësi për historinë e vendit. Ndër to një vend të rëndësishëm zë Kamenica që për madhësinë dhe shkallën e ruajtjes nuk ka paralele në vendin tonë. Rrënojat e Kamenicës (Kamenica) gjenden në rrethin e Delvinës, rrëzë shpatit jugperëndimor të Malit të Gjërë. Ato shtrihen mbi dy kodra të ulta, me pjerrësi të butë të bashkuara me një qafë të ulët prej lindjes në drejtim të perëndimit. Fshati, në të kaluarën, zinte dy lartësitë e kodrave, qafën që i bashkon ato, si dhe shpatin e tyre jugor.
Terreni rreth paraqitet mjaft i favorshëm për zhvillimin ekonomik: poshtë, nga jugperëndimi, shtrihet një fushë e gjerë me toka pjellore, në veri gjënden kullota të mira për bagëti, ndërsa klima e butë favorizon rritjen e ullirit. Nga ana tjetër, para Kamenicës (Kamenica) kalonte rruga që lidhte Delvinën me luginën e Kardhiqit dhe më tej me atë të Drinos. Rruga që të çonte në fshat kalonte duke ndjekur qafën ndërmjet dy kodrave, në jug te tij. Ajo përfundon në qendër të fshatit, i cili është sheshi më i gjere, në masën e dendur të ndërtimeve. Kësaj qendre i përket dhe toponimi “Qafa e Pazarit”. Ndërtimet rrethojnë atë duke u shtrirë kryesisht nga kodra e madhe në perëndim të saj, dhe më pak në kodrën e vogël, në lindje. Kodra e madhe ka një rënie më të butë në drejtim jugor, kështu që ndërtimet shtrihen më poshtë se ato të kodrës tjetër.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Kamenica – Zona veriperëndimore dhe ajo veriore e të dy lartësive bie thikë. Ndërtimet kanë një dendësi të madhe, por kjo është veçanërisht e theksuar në zonën rreth qendrës së fshatit. Ato janë të orientuara, përgjithësisht, nga jugu dhe me pak nga juglindja dhe jugperëndimi, duke ndjekur pjerrësine e terrenit. Nga sa mund të shihet sot, rrugët fillonin nga qendra e fshatit duke u shpërndarë drejt dy grupimeve kryesore të ndërtimeve. Ato kanë qenë të ngushta dhe gjarpëruese, herë duke ndjekur konturet horizontale të terrenit, herë duke përshkruar atë normal vijave rrushkulluese. Ndërtimet janë vendosur buzë rrugëve, ose në mjaft raste ato rreshtohen me mure që krijojnë oborre të vegjël.
Në gjendjen e sotme, fshati i rrënuar i Kamenicës (Kamenica) ruan, deri diku mirë ,një numër të madh ndërtimesh, ku pjesën dërmuese e zenë banesat por krahas tyre ruhen dhe disa kisha. Numri më i madh i tyre ndodhet në pjesën jugperëndimore të kodres madhe. Muratura e ndërtimeve për shkak të punimit të mirë dhe lidhësit të fortë, ruhet shpesh,thuajse deri në lartësinë origjinale, ndërsa nga elementet e drurit kanë mbetur vetëm gjurmë. Burimet historike që përmendin fshatin e Kamenicës janë relativisht të pakta. Në rregjistrin e vitit 1431-32, fshati i Kamenicës, i përfshirë në vilajetin e Vajonetës, kishte gjithësej 267 banesa, dhe si pronë të fshatit 400 rrënjë ullinj. Të ardhurat nga ky fshat ishin 19740 akce.
Këto të dhëna e bejnë Kamenicën (Kamenica), në atë kohë, një nga qendrat e banuara më të mëdha të kësaj zone. Mjafton, të përmendim se Gjirokastra, kryeqendra e sanxhakut te Shqipërisë, në këtë kohe kishte 163 banesa dhe të ardhurat, pa taksat e vilajetit dhe tregut, ishin 16938 akce. Në rregjistrin e vitit 1583, fshati kishte rreth 200 banesa. Këto janë të dhënat që disponojmë deri me sot për Kamenicën.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Çelebiu, i cili kaloi në mesin e shekullit XVII nga Delvina në Kalasë, përbri Kamenicës (Kamenica), nuk e përmend këtë të fundit Aravantinoi në listën e hollësishme të fshatrave të Epirit, që i përket gjendjes së fillimit të shek.XIX nuk e përmend Kamenicën si fshat, por në një pasazh ai flet për vendin e quajtur Kamenicë, çka është mjaft domethënëse. Për të patur një tablo të plotë do duhen punime pastrimi e gërmimi që do të bëjnë të mundur të sqarohen dhe thellohen shumë çështje në lidhje me historinë, ndërtimet, urbanistikën, jetën dhe kohën e ndërtimit dhe braktisjes së Kamenicës. Vetëm atëhere do të kemi një botim të plotë, që të pasqyrojë në mënyrë të gjerë e sistematike këtë qendër banimi, dikur të lulëzuar, e cila, padyshim, zë një vend me rëndësi të posaçme ne trashëgiminë arkitektonike të mesjetës
Në aspektin tipologjik ndërtimet e Kamenicës (Kamenica) janë banesa me kullë, kulla, banesa dhe kisha.Në rrënojat e Kamenicës ruhen në gjendje relativisht të mirë dy ndërtime interesante; një banesë me kullë tre katëshe dhe një kullë në kuptimin e plotë të fjalës. Banesa me kullë për nga kompozimi përbën dëshminë më të vjetër,deri më sot, në vëndin tonë. Barinjtë e zonës e emërtojne “Kulla e Rrahës”. Ajo zë pikën më të lartë të kodrës, në perëndim të qafës së pazarit, duke pasur keshtu një pozicion sundues mbi krejt fshatin.
Volumi masiv e prizmatik i kullës lartësohet deri 6,70 m. nga pika më e ulët e terrenit. Ky ndërtim nuk qëndron më vete, por është pjesa më e rëndësishme e kompleksit. Kulla në pjesën veriore zgjerohet në plan, duke përfshirë edhe një ndërtim tjetër, i cili duket qartë se është i njëkohshëm me kullën dhe ka qenë lidhur funksionalisht me të. Për shkak të rrënimeve, është vështirë të përcaktohet në se kjo pjesë e kompleksit ka qenë një apo dy katëshe.Kulla është ndërtuar me muraturë prej guri, lidhur me llaç gëlqereje. V
eçanti konstruktive, në dallim nga ndërtimet e tjera, është përdorimi i dy kontureve me breza druri në nivelet e dyshemeve të katit të parë dhe atij të dytë. Në nivelin e dyshemesë së katit të dytë, në mesin e murit jugperëndimor duket qartë vrima ku mbështetej një tra, i cili shkurtonte hapësirën e dritës, për trarët e tjerë, tërthor tij, mbi të cilët shtrohej dyshemeja prej dërrase. Të tre mjediset e kullës kanë gjurmë të qarta që tregojnë se ata kanë qenë të suvatuar.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Suvatimi formohej nga dy shtresa: shtresa e parë prej llaç gëlqereje, ndërsa ajo e dyta, shumë e hollë, me patinaturë gëlqereje. Dhe në mjedisin përngjitur kullës, gjejmë gjurmë suvaje në faqet e brendshme të muraturës. Mbulesa e kullës duhet të ketë qenë me çati katërujshe, mbasi nuk ruhet asnjë gjurmë kallkani në dallim nga pjesa tjetër e ndërtimit, e cila ka qenë e mbuluar me çati dyujshe. Ndërtimi tjetër i tipit kullë ndodhet në jugperëndim të banesës me kullë, në pjesën më periferike të fshatit. Ajo është një kullë e vetmuar, e pa lidhur me asnjë ndërtim tjetër.
Në plan ajo ka formë katërkëndësh këndrejt, dhe është tre katëshe: kati përdhes dhe kati i parë kanë afërsisht lartësi të barabartë rreth 2.0m, ndësa kati i dytë është më i lartë. Hyrja e vetme për në kullë ka qenë në katin përdhes, nga balli verior, siç tregon një fragment i njërës paturë, në të cilën gjëndet kanali i katarahut. Në katin përdhes, në gjendjen e sotme nuk dallohen gjurmë dritaresh në formë frengjije. Kati i parë le të dyshosh se mund të ketë pasur dritare në faqen jugore dhe ndoshta edhe në atë perëndimore. Kati i dytë ruan mirë muraturën në gjysmën lindore ndërsa pjesa tjetër është e dëmtuar.
Faqja lindore ruan shumë mirë disa elementë, deri tashti unikalë në arkitekturën e banesës dhe kullave të Kamenicës (Kamenica). Eshtë fjala për një oxhak të ndërtuar, afërsisht në mesin e kësaj faqeje. Kanali i tymit të tij fillon me një thellim në muraturë dhe në lartësi mbyllet në formë harku, duke lëne të vazhdojë në masën e muraturës një kanal të ngushtë me seksion rrethor. Dy kamare ndodhen anash dhe pranë kamares së djathtë, një sqoll. Dëmtimi i madh i qoshes veriperëndimore, dhe sidomos asaj jugperëndimore, të le të dyshosh se në këto pjesë mund të kenë qënë ndërtuar dritare dhe me shumë gjasë, edhe ndonjë qoshk jashtë konturit të muraturës, siç e gjejmë në kullat e Goranxise.
Muratura e gurit është e lidhur me llaç gelqereje. Në dallim nga të gjitha ndërtimet e tjera të Kamenicës (Kamenica), brezat e drurit që lidhin muraturën e kullës janë të futur brenda trashësisë së saj. Në se krahasojmë kullën e Rrahut me këtë do të vërejmë një sërë ndryshimesh jo vetëm në kompozimin e tyre, por edhe në elementë të veçantë. Kështu kulla e Rrahut është pjesë e një ndërtimi më të madh, i cili përfshin dhe një apo dy ambjente, një kat më të ulët se vetë kulla. Ajo, pra, është pjesë e një banesë, siç tregon dhe qënia e oborrit dhe e murit të avllisë.
Kompozimi i saj është i njëjtë me banesat e zhvilluara të fshatit. Kurse kulla është e veçuar, qëndron si njësi më vehte, e palidhur me ndonjë pjesë tjetër. Ajo është ndërtuar në një zonë periferike, disi e veçuar nga fshati. Oxhaku dhe kamaret, anash tij janë vendosur dhe realizuar me të njëjtën mënyrë si në shumë banesa të shek. 18 dhe fillimit të shek.19 në qytetet tona, duke qenë elemente unikale në fshatin e Kamenicës. Këto dallime, që në disa drejtime janë mjaft të rëndësishme, lejojne që kulla Nr. 1 të vendoset kronologjikisht mjaft pas asaj të Rrahut.
Gjendja e saj më e rrënuar, në krahasim me kullën e përmëndur më të vjetër, duhet shpjeguar me një punim më të dobët të muraturës. Në Kamenicë ruhen një numër shumë i madh banesash, disa prej të cilave në gjëndje relativisht të mirë. Natyrisht në gjendjen e sotme nuk ka mbetur asnjë gjurmë e mbulesave dhe e konstruksioneve prej druri. Kompozimi elementet e veçantë arkitektonikë- konstruktivë, si dhe teknika e ndërtimit, tregojnë qartë se banesat janë të ndërtuara në një periudhë relativisht të afërt me njera – tjetrën. Vetëm një grup banesash të ndërtuara në jugperëndim të “Qafës së Pazarit”, duket se i përkasin një kohe më të vonë, pasi janë të ndërtuara në një zonë periferike të fshatit dhe, në to, gjejmë të ndërtuara në katin e parë dritare në dallim nga banesat e tjera, që ndriçohen nga të çara në formë frëngjije.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Banesat ndjekin drejtimin e terrenit, duke pasur kështu orientime të ndryshme nga juglindja, jugperëndimi dhe jugu Ato janë gjithmonë të vendosura me ballin e ngushtë në drejtim të vijave rrushkulluese, duke qenë kështu volumi i tyre normal me to. Kjo vendosje është më racionale në terrenet jo shumë të pjerrët shkëmborë, mbasi nukështë shumë i nevojshëm gërmimi për të bërë të përdorshëm katin përdhes, në anën tjetër largohet më shumë kontakti eventual me ujrat e rreshjeve dhe, së fundi, rritet në mënyrë të ndjeshme aftësia mbrojtëse e banesës.
Shumica dërrmuese e banesave janë dy katëshe, ndërsa banesat përdhese janë shumë të pakta.Për shkak të pjerrësisë të terrenit, në shumicën e rasteve banesat kompozohen me gjysmë-kat, d.m.th. sipërfaqja e katit të parë shtrihet përtej asaj të katit përdhes. Konfiguracioni i tyre në plan është gjithmonë katërkëndësh këndrejtë, në shumë raste me brinjë jo të barabartë dhe, disa herë, edhe me ndonjë qoshe të harkuar apo të thyer për të mos ngushtuar rrugën apo për të bërë më të lehtë kalimin në kthesa.
Në përgjithsi banesat kanë nga një ambient në secilin kat. Sipërfaqja, disa herë, mjaft e madhe e katit nuk e përjashton mundësinë e ndonjë ndarjeje të lehtë prej druri tërthor saj. Mjaft të rralla janë banesat me dy ambiente, në katin përdhes dhe po aq në katin e parë. Ngushtësia e truallit, dhe natyra shkëmbore e tij ka bërë që edhe në ato raste kur banesa kishte një oborr të rrethuar me mure guri, përbri faqes ku ishin hyrjet, ai ishte shumë i vogël. Por ka dhe shumë raste kur hyrja për në banesa bëhet drejtpërdrejt nga rruga. Për t’u vërejtur është dhe një praktikë e përhapur gjërësisht në ndërtimin e banesave; ajo e ndërtimit të një banese të dytë, ngjitur me të parën dhe, disa herë edhe të një banese të tretë.
Në shumicën e rasteve shtesa e re përbën një banesë më vehte, që për nga kompozimi është e njëjtë me banesën së cilës i përngjitet. Më të rrallë janë rastet kur banesës i shtohen një apo dy ambiente. Kjo dukuri shpjegohet me rritjen e numrit të pjesëtarëve të familjeve, mbasi gjurmët e komunikimit të brëndshëm, ndërmjet tyre, tregojnë se ato i shërbenin një familjeje të vetme.
Në grumbullimin e madh të rrënojave të fshatit, u studiuan rrënojat e shtatë kishave të shpërndara në zona të ndryshme të tij. Tri prej tyre ndodhen në pjesën e lartë të kodrës perëndimore, një në pjesën jugore të saj, dy në “ Qafën e Pazarit” dhe kisha e fundit në kodrën më të ulët lindore, të cilat paraqesin më së miri ndërtimet e kësaj gjinie ndërtimesh. Një kishë e rrënuar ndodhej larg fshatit, në anën juglindore të tij. Të gjitha ato janë me planimetri një nefshe e mbuluar me çati druri. Së pakut dy prej tyre, që janë dhe më të mëdhatë, datojnë të shekujve XIII-XV ndërsa të tjerat nuk vendosen lehtë në kohë dhe duhen studime të mëtejshme. Studimi i këtyre kishave për këtë arsye paraqet interes sepse ndonjë prej tyre na jep të dhëna me mjaft vlerë për vendosjen në kohë të fshatit dhe ndërtimeve të tij.
Arkitektura e ndërtimeve të fshatit të braktisur të Kamenicës përbën një dëshmi të lashtë në trajtimin arkitektonik- konstuktiv të banesës. Për këtë arsye ajo zë një vënd me rëndësi të veçantë në trashëgiminë arkitektonike të së kaluarës. Ky vendbanim i ruajtur relativisht mirë, dallohet për një unitet të theksuar të ndërtimeve në planin arkitektonik dhe atë konstuktiv. Tipizimi i ndërtimeve ështe një dukuri që shfaqet në mënyrë të spikatur dhe vjen i natyrshëm, kryesisht për shkak të thjeshtësisë së kompozimit të banesave që përfshijnë një numer relativisht të vogël ambientesh, duke pasqyruar kushte ekonomiko- shoqërore relativisht të qëndrueshme dhe duke ruajtur kështu, traditën në mënyrën e jetës, pra, dhe në ndërtimin e banesave.
Banesa e Kamenicës është një tip i thjeshtë, ajo është e ndarë funksionalisht në dy kate. Kati përdhes, zakonisht me sipërfaqe më të vogël se ajo e katit të parë, është i pabanuar, ndërsa kati i parë është i banuar. Banesa është mjaft e mbyllur. Muret e fortë prej guri, hapësirat minimale për ndërlidhje me ambientin e jashtëm dhe mungesa, thuajse e plotë e dritareve apo hapësirat e tyre shumë më të vogla, i japin banesës një karakter të theksuar mbrojtës.
Banesat e Kamenicës dallohen për një primitivizim të theksuar, ku utilitarizimi është realizuar me mjetet më të thjeshta. Megjithëse nuk ruhet thuajse asnjë gjurmë për të gjykuar mbi arkitekturën e brendshme, kuptohet qartë se ajo ka qenë shumë e thjeshtë. Mungojnë krejtësisht oxhaqet, gjë që tregon se zjarri ndizej në vatër, pra, mungonte dhe tavani. Mungesa e dritareve i bënte të errët ambientet por këtu duhet pasur parasysh dhe fakti se banesa ishte më fort një strehë për fjetje, mbasi të aftët për punë, burra e gra, e kalonin ditën jashtë me punët e shumta të blegtorisë e bujqësisë. Kompozimi volumor i tyre është përcaktuar nga pjerrësia dhe natyra shkëmbore e terrenit.
Ekzemplarët e shumtë të banesës me gjysëmkat me një kthinë të banuar, janë një dëshmi bindëse se kjo banesë lindi si një zgjidhje racionale me konditat e një zhvillimi relativisht të ulët të jetës ekonomike të fshatit,që kushtëzonte një minimum prej dy kthinash. Ky numër minimal ambientesh bëri që faktori i terrenit, në rastin tonë jo i rrafshët të merrte një rëndësi thuajse vendimtare në kompozimin volumor të banesës me gjysëmkat.
Kjo ngritje jo e plotë e banesës në lartësi, pra, qenija e ambientit të banuar pjesërisht në kat e pjesërisht përdhes, konsiderohet si hapi i parë drejt kalimit nga banesa përdhese në atë me kat. Po të jetë kështu banesës së zonave kodrinore e malore, i takon së pari, të tentojë drejt të banesës me kat, që , padyshim, përbën një hap cilësor në rrugën e gjatë të zhvillimit të banesës. Me shumë interes është sidomos banesa me kullë, e cila për nga kompozimi dhe raporti volumor, ndërmjet kullës dhe banesës e konceptuar si njësi e vetme, përbën një lloj të veçantë në arkitekturën e banesës shqiptare. Bashkërendimi i kullës, në kuptimin e një ndërtimi me tipare të theksuara mbrojtëse me banesën, është një fenomen i njohur në banesën shqiptare.
Kështu një lloj “kamerijeja” në banesat gjirokastrite është një kullë me tipare të theksuara të mbrojtjes pasive. Gjithashtu të njohura janë dhe banesat e tipit “kullë”, pra, banesat e fortifikuara, në të cilën mund të përfshihet kulla e Kamenicës. Por ajo që përbën të veçantën në banesën me kullë të Kamenicës është kompozimi i saj dhe raporti sipërfaqësor ndërmjet këtyre dy njësive. Në banesën me kullë, sipërfaqja e dobishme e kullës zë më tepër se gjysmën e sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit. Ky tregues, si dhe kompozimi me lidhje organike funksionale, ndërmjet kullës dhe pjesës tjetër të ndërtimit, tregon se vetë kulla kishte dhe funksione banimi dhe nuk ishte për mbrojtje pasive në rast të ndonjë rreziku.
Ne gjëndjen e sotme të njohjes dhe studimit të trashëgimisë në lëmin e banesës popullore, banesat e Kamenicës përbëjnë një dëshmi mjaft të lashtë të kësaj kategorie ndërtimesh në vëndin tonë dhe, janë padyshim, më të vjetrat në lloin e banesave me gjysëmkat, aq të përhapura në vëndin tonë si në qytete dhe në fshatra të ngritur në terrene të pjerrët. Kualiteti i mirë i muraturës dhe në përgjithësi niveli i mirë i ndërtimeve, e bëjnë të qartë se Kamenica është ndërtuar nga mjeshtra profesionistë. Teknika e ndërtimit është mjaft e thjeshtë, mungojnë harqet dhe qemeret. Arkitrarë prej një blloku të vetëm mbulonin hapësirat e dyerve, por nuk përjashtohet dhe përdorimi i drurit.
Mungesa e brezave të drurit në banesat, shpjegohet me përdorimin e lidhësit të fortë prej llaçi gëlqereje, lartësisë relativisht të ulët të ndërtimeve dhe terrenit të fortë shkëmbor. Banesat e Kamenicës kanë aftësi në kompozimin e tyre me rrënojat banesave të Mistrës. Por banesat e Mistrës, në dallim nga të Kamenicës, janë mjaft të pasura në elementë të veçantë arkitektonike dhe më të mëdha në përmasa. Me interes është gjithashtu të vërejmë se në Mistra takohet dhe ndërtimi i kullave së bashku me banesën; në disa raste me kompozim të njëjtë me ato të Kamenicës Orlandos i daton ato rreth shekujve XIII-XV.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Problem i vështirë për t’u zgjidhur, për mungesë hëpërhë të dhënash, është datimi i ndërtimeve të Kamenicës dhe braktisjes së fshatit. Gjendja e rrënimeve, e cila është thuajse e të njëjtit nivel në të gjithë ndërtimet e tij sugjeron një braktisje kolektive të fshatit që ndodhte shpesh në ato kohë të vështira. Për kohën e braktisjes së fshatit merren në konsideratë: përmëndja në tefterin e rregjistrimit të vitit 1583, dhe mospërmëndja nga Çelebiu në mesin e shek. XVII duke mbetur kështu fillimi i shek. XVII koha më e mundëshme gjatë të cilës të jetë kryer braktisja.
Ndërtimet e Kamenicës, siç kemi pëmëndur mund t’i ndajmë kronologjikisht në dy grupe: Në grupin e parë, bëjnë pjesë ndërtimet në “qafën e pazarit” dhe në dy lartësitë pranë tij, në grupin e dytë, më të vonë, ndërtimet në jugperëndim të “qafës së Pazarit”.Për mendimin tonë ato të grupit të parë mund të datohen rreth shek. XIV-XV ndërsa të grupit të dytë rreth XV-XVI. Në grupin e parë përfshihet dhe banesa me kullë ndërsa kulla duhet t’i përkasë shek. XVI-XVII. Studimi sistematik i rrënimeve të kësaj qëndre të banuar në të ardhmen, pa dyshim, do t’i japë një përgjigje më të bazuar e më të saktë shumë çështjeve, sidomos vendosjes në kohë të këtyre ndërtimeve.
Burimet nga regjistrat osmane tregojnë që fshati në fund të jetës së tij ka pasur 606 familje dhe ishte një nga qendrat që paguante më shumë taksa nga çdo qyte tjetër i Shqipërisë, kishte 606 familje, ishte një qendër e rëndësishme ekonomike. Kishte pesë lagje. Lagja kryesore e Kamenicës kishte rrënoja që i kemi dokumentuar tashmë. Bëhet fjalë për 110 banesa dhe 12 kisha. Janë zbuluar nja katër punishte vaji, etj”. Ndër zbulimet më të rëndësishme, arkeologu Skënder Muçaj përmend dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku sipas tij njëra është ajo e kishës e tjetra e pronarit administrativ të fshatit. “Nga kërkimet që kemi bërë janë zbuluar se dy prej ndërtesave janë rezidenca shumë të mëdha, me ambiente të shumta, me një sipërfaqe tepër të madhe, me punishte e me prodhime të ndryshme. Kështu që marrin vlera në këtë këndvështrim, sepse fillimet e këtij fshati, ne i kemi që në shekullin e 12-të. Që nga shekulli i XII, e kemi të argumentuar se ka filluar jeta në këtë fshat dhe ka vazhduar të ketë jetë deri në fillimin e shekullit të XVII.
Në fillim të shekullit të XVIII këto banesa janë braktisur, sidomos lagja kryesore që është Kamenica është braktisur përfundimisht. Kemi dokumentuar në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë e një manastir, etj. Është edhe një lagje tjetër që duhet studiuar, ku ruhen toponimet, e ku ka edhe banesa, që është e paeksploruar deri tani”. Arkeologët e kësaj ekspedite, të zhvilluar vetëm përgjatë tri javëve në muajt korrik-gusht, pohojnë se me këto zbulime Kamenica po merr vlera të veçanta. Është bërë tashmë dokumentimi grafik,duke u ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do të studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kurrë ka përfunduar. “Ky fshat hyn në atë periudhë, kur në zonën e Mesdheut fillojnë të ndërtohen fshatra dhe të kthehen në qytete”, rrëfen drejtuesi i ekspeditës, Skënder Muçaj. “Madje ishin hapat e para të ndërtimit që nisin të funksionojnë si qytete deri në shekullin e X dhe të XI. E tillë do të jetë panorama e fshatit që po studiojmë, një zhvillim që ndodhte paralelisht në territorin Mesdheut, edhe me fshatrat e Italisë dhe Greqisë. Duke zbuluar nivelin e jetesës në fshatin e Kamenicës zbulojmë se territori i Shqipërisë në atë kohë ishte në të njëjtin nivel me vendet e tjera.
Aty kemi banesa me dy, tre, katër kate. Kemi një urbanistikë të përcaktuar. Në qoftë se shohim sot lagjen e Mangalemit, në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit”, thotë Skënder Muçaj, duke rrëfyer edhe se fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale. Mendimi i arkeologut pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i gjithi do të ketë interes të madh për turistët. “Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të 3 dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. i XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit”, shpjegon arkeologu Muçaj, ndërsa kujton se për zbulime të mëtejshme arkeologjike Shqipërisë i mungojnë arkeologët. “Problemi është se ka pak persona që merren me arkeologji. Ka pak arkeologë.
Qyteza e Kamenices, Kamenica – Delvine
Numri i arkeologëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për ekspeditat arkeologjike, që bëhen me tre-katër veta”, shprehet ai, ndërsa i kthen sytë sërish nga zbulimet në Kamenicë. “Duhet parë se ç’domethënie kanë këto banesa me tre e madje me katër kate, të cilat u kanë rezistuar shekujve. Ne shohim se ato plotësojnë kushtet e topografisë së një qyteti të kohës, edhe pse nuk arriti të kthehet në një qytet plotësisht, por ka shumë elementë të një qyteti si dyqanet e punishtet.
Shkaku mund të ketë qenë se ishte larg rrugëve të kalimit dhe në këtë zonë më afër rrugëve të kalimit ishte Delvina. Kështu Kamenica mbeti jashtë vëmendjes si qendër administrative dhe e zhvilluar, ku gjenden të dhëna të rëndësishme për studimin e gjithë mesjetës”. Ndërsa rrëfen për rëndësinë e këtyre zbulimeve arkeologu Skënder Muçaj tërheq vëmendjen se “kërkime duhen bërë edhe në veri me gërmimet si në Dalmaci, Banjë, etj, ku ka të dhëna me interes që fillojnë nga shekulli IX deri në shekullin e XV”.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb