Kapet me kallash që do ta shiste në Sarandë, vihet në pranga bashkë me shokun – VIDEO

Policia njofton se shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 8”.

Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë, në vende të ndryshme, në fshatin Berdenesh, dhe u vunë në pranga shtetasit:

E. M., 34 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit në automjetin tip “Audi”, që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës;

E. Sh., 31 vjeç, banues në Sarandë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se do të ndihmonte shtetasin E. M., për të shitur armën e zjarrit. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë ndërkohë që drejtonte një automjet tip “Ford”.

Arma e zjarrit kallashnikov, 1 krehër me municion luftarak dhe 2 automjetet e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon