Këshilltarët i kërkojnë llogari për punimet në rrugë, përfaqësuesi i firmës: “Jeni për gjynah”
Debate të ashpra janë zhvilluar ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Sarandë mes këshilltarëve dhe supervizorit të firmës që po rikonstrukton rrugët dhe qendrën e Sarandës. Pyetjeve të këshilltarëve ai i është përgjigjur në mënyrë të cunguar dhe shpesh nuk ka pasur informacionin e duhur.
Përballë fakteve konkrete të paraqitura nga këshilltarët për situatën skandaloze, siç e quajtën ata, të zvarritjes por edhe standartit të punimeve, supervizori u është kthyer në fund duke u shprehur: “Jeni për gjynah”.
Madje gjatë debateve ai i ka ironizuar këshilltarët duke u shprehur se “jeni ju këshilltarë ndaj është qyteti në këtë gjendje”. Këto fjalë kanë acaruar këshilltarët dhe duke parë situatën konfuze të krijuar por edhe mungesën e një informacioni të saktë, kjo pikë e rendit të ditës është ndërprerë duke hedhur idenë e thirrjes së një mbledhje jashtë rradhe ku të vijë një tjetër përfaqësues i firmës por dhe një përfaqësues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.