KLSH kontroll në Bashkinë e Sarandë, probleme me 13 Leje Ndërtimi
Janë konstatuar nga KLSH 6 leje ndërtimi të dhëna në periudhën prill-tetor 2022, për objekte nga 4 deri në 6 kate, të cilat nuk kanë ruajtur distancat me objektet e tjera. Kështu në disa raste këto objekte ose janë ngjitur me kufirin e pronës tjetër ose janë deri në 1 metër afër. Ligji parashikon që distancat duhet të ishin nga 5 deri në 7 metra në varësi të kateve.
Janë evidentuar 5 leje ndërtimi për shtesa katesh të dhëna për periudhën shkurt – tetor 2022, të miratuara nga ana e urbanistikës, për të cilat bashkia nuk ka kërkuar akt-ekspertiza nga inxhinier të
licencuar për këto situata, për të përcaktuar nëse këto shtesa kati të miratuara ndikojnë në
qëndrueshmërinë dhe aftësinë mbajtëse të strukturës dhe themeleve të objektit.
Janë konstatuar dy leje ndërtimi të dhëna në përiudhën shkurt – shtator 2022 për të cilat nuk është llogaritur sipas ligjit Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë, duke i shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të Bashkisë prej 2.887.019 lekë të reja.