Sarandë/Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Informale”.
Kontrabandonin bagëti të trasha, nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër, me qëllim tregtimin e tyre, vihen në pranga 5 shtetas.
Sekuestrohen 2 kamionë me të cilët transportoheshin 25 krerë bagëti të dyshuara të vjedhura në Greqi, si dhe 5 aparate celulare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, mbështetur dhe në inteligjencën informative, se në Konispol po bëhej tregtimi i disa bagëtive të trasha të kontrabanduara, kanë organizuar punën dhe kanë goditur këtë rast, në kuadër të operacionit policor të koduar “Informale”.
Si rezultat u vunë në pranga shtetasit:
Arben Husi 50 vjeç, banues në Konispol, Kreshnik Likaj, 32 vjeç, banues në Fier dhe Venedik Dylmishi 37 vjeç, banues në Patos, për veprën penale “Transportimi i mallrave kontrabandë”, kryer në bashkëpunim, Adil Sheraj 55 vjeç, me detyrë veteriner, në Zyrën e Bujqësisë Sarandë, dhe Jurgen Haxhi 26 vjeç, të dy banues në Sarandë, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin bagëtitë të trasha, në Greqi, i kontrabandonin ato, nepërmjet kufirit të gjelbër, në territorin shqiptar, dhe me anë të dokumenteve të falsifikuara, i shisnin kundrejt shumave të ndryshme monetare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.