Kreu i Operatorëve Turistik, Vasil Bedinaj ka treguar se ngjarja tragjike që ndodhi një ditë më parë në plazhin e Potamit, është shkak i mosfunksionimit të gjithë zinxhirit të një sërë institucionesh.
Më konkretisht, ai sqaron për Report Tv se çdo sezon ngrihet një grup pune i përbërë nga përfaqësues të drejtuesve lokal, drejtuesve qendror, prefekti, Bashkia, Agjencia e Bregdetit, kapitaneria, Policia Bashkiake, Policia Kufitare dhe Policia e Rendit.
Mirëpo, ku zinxhir ka dështuar, ka deklaruar Bedinaj, sipas së cilit reagimi i tyre ka qenë zero. Ai ngre shqetësimin e korrupsionit nga ana e uniformave të policisë, duke thënë se Policia Kufitare e ka merituar shkarkimin, pasi ka qenë struktura më neglizhente.
“S’po na hiqet nga mendja me atë engjëll që iku. Kemi pasur takime me drejtuesit lokal dhe qendror, prefekti, bashkia, agjencia e bregdetit, policia, kapiteneria, policia e rendit dhe policia bashkiake. Pavarësisht përpjekjeve tona si operator, ka një indiferentizëm të strukturave, Policia Kufitare e meritonte shkarkimin, se kemi kaq kohë që konstatojmë mjete mbi kapacitetin e duhur, mbetet të paregjistruara dhe reagimi i tyre ka qenë zero, kënaqen me 20 mijë lekë të vjetër, apo duke shitur benzinën e tyre me bidona.
Vjet ka qenë një grup që ka qenë në terren, kishte koordinim të mirë, këtë vit kanë rënë të gjithë përtokë, ne marrim telefon për shkak të muzikës, të makinave që ecin me shpejtësi, se parkojnë dhe në plazh tani, u hipin makinat përsipër, reagimi i Policisë së Shtetit dhe Bashkiake është zero, dje kisha takim me policit dhe vetëm qeshnin, dhe u thashë që po t’i bëj një foto dhe t’ia çoj kryeministrit do shkarkoheni”, tha ai.
Për rrjedhojë, ai thekson se një incident i tillë mund të ishte shmangur.
“Incidenti mund të ishte shmangur, duhet të jetë kordoni i sigurisë. Institucionet ia hedhin topin njëri tjetrit, sot ka qenë një indiferenizëm nga ana e këtyre strukturave, i kam barë 2-3 herë gjithë bashkë për të ushtruar kontrolle”, tha Bedinaj.
Megjithatë, një ngjarje e tillë, për Bedinaj, nuk pritet të ketë ndikime në turizëm.