Ku shkuan 7 milionë turistë? Nga 8.5 milionë, vetëm 1.5 milionë fjetën në hotele

Ku shkuan 7 milionë turistë? Nga 8.5 milionë, vetëm 1.5 milionë fjetën në hotele

 

Shqipëria mirëpret çdo vit miliona turistë, por vetëm një pjesë e vogël e tyre figurojnë si të akomoduar në struktura të regjistruara si hotele, bujtina apo resorte. Sipas INSTAT, deri në gusht 2024, nga 8.5 milionë turistë të huaj, vetëm 1.5 milionë janë raportuar si të akomoduar në struktura zyrtare.

Kjo mospërputhje e madhe lidhet kryesisht me informalitetin në sektorin e turizmit, pasi shumë struktura, edhe pse funksionojnë legalisht, nuk deklarojnë të gjitha qëndrimet e turistëve. Në gusht, nga 2.1 milionë turistë të huaj, vetëm 462 mijë u raportuan si të akomoduar në hotele, bujtina, apartamente apo resorte, që do të thotë se vetëm një në katër është regjistruar zyrtarisht në strukturat akomoduese.

 

Shifra të ulëta raportimi dhe ekonomia informale

Për periudhën janar-gusht, diferenca është edhe më e madhe. Nga 8.5 milionë turistë që hynë në Shqipëri, vetëm 18.5% (1.5 milionë) janë deklaruar si të akomoduar në strukturat zyrtare. Ekspertët e sektorit të turizmit dhe vetë institucionet shtetërore theksojnë se kjo situatë buron nga evazioni në raportim, pasi shumë njësi akomoduese:

  • Operojnë në mënyrë të paregjistruar ose pa licenca të plota.
  • Nuk deklarojnë qëndrimet e turistëve për të shmangur taksat dhe detyrimet fiskale.
  • Nën-deklarojnë numrin e vizitorëve për të reduktuar formalitetin e xhiros financiare.

 

Masat e reja kundër informalitetit në sektorin e turizmit

Në strategjinë e turizmit 2024-2030, qeveria ka parashikuar ngritjen e një task-force për të luftuar këtë fenomen. Kjo task-forcë do të:

  • Identifikojë strukturat e paregjistruara që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
  • Monitorojë raportimet në kohë reale nga strukturat e regjistruara.
  • Kryejë kontrolle në terren për të zbuluar nën-deklarimet dhe shmangien e detyrimeve fiskale.

Një tjetër hap i rëndësishëm do të jetë kryqëzimi i të dhënave me platformat ndërkombëtare si Booking dhe Airbnb. Në këtë mënyrë, numri i rezervimeve që bëhen përmes këtyre platformave do të krahasohet me shifrat e raportuara nga bizneset brenda Shqipërisë.

 

shqipëri turistë

 

Njësitë informale dhe ndikimi i tyre në treg

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, gjatë vitit 2023 u identifikuan mbi 18.200 njësi me qira afatshkurtër, të cilat ofronin rreth 176 mijë krevate. Megjithëse këto njësi përfaqësojnë një pjesë të madhe të tregut të akomodimit, shumë prej tyre shmangin taksat, duke kontribuar në përkeqësimin e informalitetit.

Formalizimi i sektorit është thelbësor për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe për të maksimizuar përfitimet ekonomike. Me masat e reja, pritet që transparenca dhe raportimi korrekt të rriten, duke i dhënë industrisë turistike një strukturë më të fortë dhe të drejtë. 

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon