Kumbaro dhe Ibrahimaj: Do shtohen kontrollet & gjobat, qytetarët nuk ndërgjegjësohen për qeset plastike

Task Forca për ndalimin e qeseve plastike, Kumbaro dhe Ibrahimaj: Intensifikojmë kontrollet dhe masat ndëshkuese

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në mbledhjen e Task Forcës për ndalimin e hedhjes në treg, prodhimit, importimit të qeseve plastike njëpërdorimshe paralajmëruan masa të ashpra ndëshkuese për shkelësit e ligjit.

Për ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, një vit pas hyrjes në fuqi që të ligjit që ndalon qeset plastike njëpërdorimëshe, përveç punës sensibilizuese, duhet të intensifikohet edhe ajo kontrolluese dhe ndëshkuese. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj, është një tjetër arsye që sipas ministres Kumbaro, kërkon një rilançim të këtyre masave, pasi krijon rrezik për abuzime dhe shkelje të ligjit.

“Është koha sot, një vit mbrapa, të themi që me hyrjen në fuqi të ligjit, më 1 qershor të vitit të kaluar, jemi prapë në një situatë në të cilën duhet të forcojmë masat kontrolluese, koordinuese e ndëshkuese, por edhe për t’i bërë ato të njohura. Unë besoj që këto masa kontrolluese dhe ndëshkuese duhet të intensifikohen pikërisht në këtë moment, edhe për një arsye tjetër: Kemi një fluks shumë të shtuar të njerëzve që qarkullojnë në territor. Vetëm në muajin prill kemi 53% më shumë vizitorë të huaj sesa prilli i kaluar, që do të thotë se 2.8 milionë qytetarë shumëfishohen brenda javës në mënyrë progresive”, u shpreh Kumbaro.

Nga ana e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, kërkoi angazhimin e institucioneve përgjegjëse për mirëpërcaktimin e planeve të punës me qëllim efiçiencën e saj dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

“Besoj që ka ardhur koha që të kemi një plan të detajuar të dytë. Ju keni operuar me një taskforcë të përbashkët, por mendoj që policia bashkiake të bëjë një plan kontrollesh me qëllim që të kemi mbulueshmëri sa më të madhe dhe pastaj në momentin që evidentohet një shkelje, ISHMT vjen dhe vendos penalitetin”, u shpreh Ibrahimaj.

Task Forca për ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike njëpërdorimshe drejtohet nga zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit Almira Xhembulla, ku rol kryesor kanë një sërë institucionesh si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, njësitë e vetëqeverisje vendore përmes policisë bashkiake të cilët me ndryshimet ligjore mund të ushtrojnë kontrolle në tregje.

Please follow and like us:
fb-share-icon