Kushdo që akomodon pushues të regjistrohet në QKB, përndryshe deri në 4 milionë lekë gjobë

Të gjitha strukturat akomoduese në vend, që presin turistë duhet të jenë të licencuara pavarësisht numrit të dhomave që kanë. Në komisionet parlamentare ka nisur diskutimi i projektligjit Për Turizmin i cili synon të ulë informalitetin në sektor, që po dëmton konkurrencën. Zëvendësministrja Vilma Bello tha se janë mbi 4500 struktura të paregjistruara që operojnë në vend.

Nga dhomat e thjeshta deri tek vilat që akomodojnë pushues përmes AirBNB apo Booking dhe nuk kanë një licencë, do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ndryshimet e propozuara në ligjin për Turizmin u prezantuan në Komisionin e Veprimtarisë nga zëvendësministrja Vilma Bello, e cila shtojë se synohet formalizimi i sektorit.

“Në projektligj synohet saktësimi dhe parashikimi i masave administrative për të gjitha veprimtaritë turistike. Rishikimi i këtij ligji ka ardhur si rezultat i evidentimit të një sërë problematikash, që janë operimi si struktura akomoduese në mënyrë informale i dhomave, apartamenteve, apo vilave, duke cenuar konkurrencën me subjektet formale por edhe cilësinë së shërbimit”, u shpreh Bello.

Pas regjistrimit këto struktura duhet të aplikojnë për të marrë certifikatën e kategorizimit, në të kundërt gjobiten nga 20 mijë lekë deri në 400 mijë lekë në varësi të numrit të dhomave. Zëvendësministrja e Turizmit, dha në komision shifra mbi numrin e strukturave që ushtrojnë aktivitetin në paligjshmëri.

Në projektligj parashikohet edhe regjistrimi elektronik i klientëve me të dhënat mbi, netët e qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën, me synim pasjen e një panorame të plotë mbi turizmin në vend. Kur të dhënat deklarohen të pasakta subjekti gjobitet me 100 mijë lekë, ndërsa gjoba është 150 mijë lekë kur nuk deklarohet numri i saktë i pushuesve.

Këto ndryshime pritet të ulin informalitetin në sektor, pasi sipas qeverisë nga 10.1 milionë të huaj që erdhën në vend, në strukturat akomoduese të regjistruara fjetën sipas shifrave vetëm 1.4 milionë të huaj.  Aktualisht ministria e Turizmit ka nisur diskutimet për strategjinë e re të turizmit deri në 2030, ku në fokus do të jetë turisti elitar dhe jo rritja e shifrave.

Please follow and like us:
fb-share-icon