Letra e babait që humbi dy vajzat në aksidentin tragjik: Luftuan të shpëtojnë vëllanë e sëmurë

Letra e babait që humbi dy vajzat në aksidentin tragjik: Luftuan të shpëtojnë vëllanë e sëmurë

Letra e babait që humbi dy vajzat në aksidentin tragjik: “Luftuan të shpëtonin vëllanë e sëmurë”

 

Një tragjedi që tronditi gjithë Shqipërinë

Mbrëmja e 24 gushtit do të mbetet një plagë e hapur në zemrat e shqiptarëve. Aksidenti tragjik që u mori jetën motrave Dhimaku, Elvisa 22 vjeçe dhe Rozina 20 vjeçe, i ktheu buzëqeshjet e tyre në kujtime dhe la pas një familje të shkatërruar. Dy vajza që nuk e kursyen asnjë ditë, asnjë orë, për të luftuar për jetën e vëllait të tyre të vogël, sot nuk janë më.

 

Letra e babait që humbi dy vajzat në aksidentin tragjik: Luftuan të shpëtojnë vëllanë e sëmurë

 

Dhimbja e një babai

 

Rizal Dhimaku, babai i vajzave, rrëfen në një letër të dhimbshme çastet e fundit me të bijat, të cilat, siç duket, e ndjenin fatin e hidhur.

“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë. ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E thanë me një zë që më dridhet ende në shpirt. Nuk pranova. Jo se nuk i doja, por sepse çdo qindarkë e kursyer ishte për luftën e Islit me leuçeminë. Silueta e tyre, të heshtura te dera me kokën ulur, më është ngulitur përgjithmonë në shpirt.”

 

 

Babai kujton se nuk mundi ta plotësonte dëshirën e tyre të fundit. Ai u nis për në stan, ndërsa ato mbetën pas, pa e ditur që ky do të ishte përshëndetja e fundit.

Nata e zezë në mes të malit

 

Mbrëmja u kthye në ankth, terri në mallkim.

“Isha në mes të malit kur më ra telefoni. Një zë më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. Zemra m’u ngri. Vrapova nëpër terr, nëpër gurë e humnera. Dy minuta më pas, një tjetër telefonatë… ‘Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë’. Në atë natë të zezë, humba gjithçka.”

I vetëm, i shkatërruar, ai zbriti malin për ta parë me sytë e tij tragjedinë që kishte shuar jetën e dy bijave të tij.

 

Motrat Dhimaku që punuan për të shpëtuar vëllain

 

Elvisa dhe Rozina ishin rritur në male, në stane, duke ndihmuar prindërit me bagëtitë, duke mbledhur çaj mali dhe duke e shitur për të siguruar një copë bukë. Por rritja e tyre nuk ishte vetëm mundim, ishte edhe ëndërr.

Këtë verë kishin marrë një tezgë në Sarandë, ku shisnin shishqebap, bukë me qofte e misra. Çdo fitim, sado i vogël, ishte për një qëllim të madh: kurimin e Islit, vëllait të tyre 7-vjeçar që prej katër vitesh përballet me leuçeminë.

“Edhe sot në muret e shtëpisë ende varen tufat e fundit të çajit që ato mblodhën para se të ndodhte aksidenti”, shkruan i ati.

Ëndrra të ndërprera

 

Elvisa sapo kishte përfunduar studimet për Teknik Laboratori dhe priste të niste punë më 1 shtator. Ndërsa Rozina ishte në vitin e tretë për infermieri, duke ëndërruar të bëhej një ditë mjeke, për të shëruar njerëz, për të shpëtuar jetën e vëllait të saj.

Por ëndrrat u prenë në mes. Një aksident i mori me vete, duke lënë pas një dhimbje që nuk shërohet kurrë.

 

Sot, në shtëpinë e familjes Dhimaku, heshtja ka zëvendësuar çdo të qeshur. Dhimbja ka pushtuar çdo cep, ndërsa shpresa është lidhur vetëm me jetën e Islit. Dy motrat që ishin gjithçka për të, nuk janë më.

Fondacioni Firdeus ka marrë përsipër kurimin e tij, dhe vetëm shërimi i tij mund të sjellë sërish një dritë jete në këtë familje të thyer nga tragjedia.

 

 

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon