Lëvizte me Benz dhe me pistoletë nëpër qytet, “Shqiponjat” arrestojnë 42-vjeçarin

Një 42-vjeçar është arrestuar nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, pasi është kapur në flagrancë teksa lëvizte i armatosur me makinën e tij tip “Benz”.

Shtetasit me iniciale D.F. i është sekuestruar një pistoletë dhe fishekë luftarak në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndjekja”, sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarak.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6, dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.

Qarkullonte me automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Procedohet penalisht pasagjeri, pasi dyshohet se duke patur dijeni, nuk kallëzoi këtë krim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se në fshatin Prush kishte pasur një konflikt mes disa shtetasve dhe njëri prej tyre, dyshohej se ishte i armatosur dhe ishte larguar me një automjet tip “Benz”, menjëherë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Ndjekja”, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në Rrugën e Kavajës, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit me drejtues shtetasin D. F. dhe ku ishte pasagjer shtetasin M. Sh. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. F., 42 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.  Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon