Marrëveshja për Butrintin miratohet me debat në Komisionin e Ekonomisë

Një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga ky fondacion, vijon të shkaktojë polemika në komisionet parlamentare.

Pas katër orë debatesh, kjo marrëveshje u miratua të hënën në parim në komisionin e Ekonomisë, por diskutimet do të vijojnë në komisionin e Ligjeve dhe në komisionin e Edukimit dhe Medias, ku u kërkua një seancë dëgjimore me ekspertë të pavarur.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një kporporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaëare të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur dhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit.

Ministrja Elva Margariti ishte e shoqëruar në komision edhe me dy bashkëdrejtorët e AADF-së, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, të cilët mbrojtën para deputetëve ‘synimet filantropike’ të fondacionit në administrimin e Butrintit.

Mata tha se fondacioni kontribuon për të krijuar modele menaxhimi të qëndrueshme dhe se trashëgimia kulturore ishte një nga 4 kollonat e mbështetjes financiare që ai jep në Shqipëri. Duke premtuar transparencë, ai theksoi se projekti i menaxhimit të Butrintit do të jetë në “dritën e diellit”.

Ministja Margariti mbrojti marrëveshjen dhe iu përgjigj pyetjeve të bëra nga deputetët e opozitës në një seancë të mëparshme të komisionit, por rezervat e tyre nuk u shuan.

Opozita ngriti si shqetësim transparencën e këtij menaxhimi, duke e cilësuar një kontratë koncensionare mbi një pasuri kombëtare dhe përfshirjen e AADF-së në menaxhim si konflikt interesi, pasi më herët ky fondacion ka financuar ekspertizën për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe hartimin e planit të biznesit.

Sipas deputetit Edmond Spaho, marrëveshja është në shkelje të Konventës së Parisit, si pjesë e trashëgimisë botërore, duke shmangur shtetin në rolin e tij parësor dhe të padiskutueshëm.

“Do hyni me leje në Butrint,” i tha ai ministres Margariti, duke ngritur pyetjen pse të mos e bëjë shteti administrimin dhe të thithë fonde private.

Deputetja Ina Zhupa e cilësoi një koncension të pastër dhe një marrëveshje me qëllim fitimet ekonomike në kurriz të rrezikimit të pasurive kulturore kombëtare. “Ky fondacion nuk është krijuar me ligj, nuk është një ent publik,” tha Zhupa duke ngritur pikëpyetje dhe për integritetin e disa anëtarëve të bordit.

Edhe deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe shfaqi shqetësimin për mbrojtjen që i garanton parkut kombëtar të Butrintit kjo marrëveshje nga synimet për ndërtime resortesh brenda tij. Blerina Gjoka, Reporter.al

Please follow and like us:
fb-share-icon