Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth një javë më parë në Durrës, ku një 35-vjeçar ka hedhur nga ura shokun e tij dhe më pas ka fshehur krimin. Autori i ngjarjes, Majlind Habibi është vënë sot në pranga, pasi u zbulua se kishte vrarë 33-vjeçarin Branko Shkoza. Ky i fundit ishte denoncuar si i humbur nga familja e tij më 4 dhjetor.
Një ditë më pas policia ka gjetur trupin e tij të pajetë. Nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa pas marrjes së provave në vendngjarje u zbulua se viktima ishte hedhur qëllimisht nga ura. Sipas raportimeve, viktima dhe autori kanë qenë të dehur momentin e sherrit mes tyre, kurse shkak dyshohet se është bërë ngacmimi i gruas së autorit nga viktima.
Viktima ishte zhdukur që me datë 2 dhjetor ndërsa familjarët kanë denoncuar rastin dy ditë më vonë me datë 4 dhjetor. Autori e ka fshehur krimin ndërsa 8 ditë pas ngjarjes është vënë në pranga. Policia më tej bën me dije se një ditë pas denoncimit nga familjarët është gjetur trupi i pajetë i të riut.
Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ku 35-vjeçari ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shokun e tij i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.