Pas atentatit në Sarandë, ministri Demo kërkon shkrirjen e zinxhirit drejtues dhe ngritjen e një Task-Force
Vrasja e Artan Myrtajt në qendër të Sarandës ka vënë në lëvizje strukturat më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.
Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në qarqe, ku në qendër të diskutimeve ka qenë atentati i ndodhur një ditë më parë në Sarandë.
Mësohet se Demo ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj drejtuesve të policisë, ndërsa ka urdhëruar shkrirjen e të gjithë zinxhirit drejtues të Sarandës.
Ministri ka kërkuar gjithashtu ngritjen e një Task-Force të posaçme, e cila, sipas të njëjtave burime, do të përbëhet nga dhjetë efektivë dhe specialistë. Grupi do të qëndrojë në Sarandë dhe do të angazhohet në hetimin e atentatit ndaj Myrtajt, si dhe të ngjarjeve të tjera kriminale të regjistruara në qytet.
Gjatë takimit, Demo i është drejtuar edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar forcimin e sigurisë në shkolla dhe hartimin e një plani të detajuar për kontrollin e territorit.
Vendimet vijnë pas atentatit ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, ndërsa u plagos edhe një 73-vjeçar, kalimtar i rastit. Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve vijojnë.








