Nën drejtimin e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro është mbledhur Task Forca e turizmit, në vijim të punës që ka nisur që në tetor për përgatitjet e sezonit.
Kumbaro vuri theksin në bashkëpunimin e të gjitha instancave shtetërore për mbarëvajtjen e sezonit, duke njoftuar edhe nisjen e një aksioni final me ndihmën e ushtrisë në dhjetë ditët e fundit të muajit maj.
“Betejën më të vështirë në këtë sezon e kemi me mbetjet, por jemi në rrugë të mbarë falë koordinimit dhe punës së bashkive të bregdetit. Siç e dini, katër bashki bregdetare do asistohen nga një operator shtesë përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.
Gjithashtu në datat 20-30 maj do të angazhojmë në terren edhe forcat e ushtrisë për të përforcuar punën për pastrimin e territorit. Megjithëse këtë vit situata e mbetjeve paraqitet shumë më mirë dhe territoret e bregdetit janë pastruar dhe kanë nisur çeljen e sezonit, jemi të vetëdijshëm që çdo episod i pakëndshëm në territor na kushton më shumë nga sa mendojmë ne. Çdo moskorrektësi e punonjësve tanë përkthehet në dëm për imazhin e Shqipërisë. Prandaj të shmangim çdo sjellje të tillë”, tha Kumbaro.