Ndahet nga jeta Fatmir Shero, biznesmeni dhe aktivisti i përkushtuar nga Konispoli
Një lajm që rëndon shpirtin dhe lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm ka tronditur Konispolin dhe gjithë zonën përreth. Ndahet nga jeta Fatmir Shero, biznesmeni i njohur dhe një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj komunitetit, një njeri që la gjurmë të thella në jetën e shumë familjeve dhe në vetë ndërgjegjen qytetare.

Largimi i tij i parakohshëm sjell dhimbje të thellë dhe një ndjenjë humbjeje që vështirë përshkruhet me fjalë. Fatmir Shero nuk ishte thjesht një sipërmarrës i suksesshëm, por mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe, gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, një zë i fortë për komunitetin dhe një mik i rrallë për këdo që e njohu.
Ai ishte nga ata njerëz që nuk kursenin as kohën dhe as energjinë për të ndihmuar të tjerët, duke u bërë një shtyllë mbështetjeje për shumëkënd. Sot, mungesa e tij ndihet thellë, jo vetëm në familje, por në çdo cep të komunitetit ku ai dha kontributin e tij.
Fatmir Sali Shero u lind në gusht të vitit 1961 në Leskovik, në një familje ushtaraku. Më pas familja u vendos në Konispol, ku ai u rrit dhe kaloi fëmijërinë në lagjen “Shehat”. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Konispol, duke u dalluar për përkushtim në mësime dhe disiplinë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdoi studimet në Shkollën e Bashkuar, ku u diplomua si oficer. Pas diplomimit shërbeu në disa reparte ushtarake në qytetin e Vlorës dhe në ishullin e Sazanit, ku mbajti detyrën e shefit të kimisë në brigadë. Gjatë shërbimit ushtarak u vlerësua për korrektesë, përgjegjësi dhe marrëdhënie të mira me kolegët dhe ushtarët.
Pas viteve 1990 dhe ndryshimeve politike në vend, u largua nga ushtria dhe nisi aktivitetin në sektorin privat. Fillimisht hapi një pastiçeri në qytetin e Vlorës, duke vijuar më pas me angazhime të tjera në biznes. U vendos për një kohë të gjatë në Vlorë, por ruajti gjithmonë lidhje të ngushta me vendlindjen, Konispolin.
I martuar me Afërditën, krijoi një familje dhe pati dy djem, Arjolin dhe Olsin, të cilët i arsimoi dhe i rriti me përkushtim.
Në vitet në vijim, Fatmir Shero u angazhua në fushën e agrobiznesit në Konispol, ku ndërtoi një qendër grumbullimi për agrumet. Aktiviteti i tij përfshinte grumbullimin, magazinimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore, kryesisht mandarina dhe portokalle, duke bashkëpunuar me fermerët e zonës. Gjithashtu investoi edhe në kultivimin e agrumeve.
Ai njihej si një person i angazhuar në jetën shoqërore dhe komunitare, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me banorët e Konispolit dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të zonës.
Pas një periudhe rreth 25 ditësh në gjendje kome në një spital në Tiranë, Fatmir Shero u nda nga jeta, duke lënë pas familjen, të afërmit dhe një aktivitet të konsoliduar në biznes.
Fatmir Shero do të kujtohet për kontributin e tij në fushën e biznesit dhe për lidhjen e tij me komunitetin ku u rrit dhe veproi. Saranda Web









