Ndahet nga jeta Xhemal Bali, Mandela e Sarandës


Ndahet nga jeta Xhemal Bali

Sot, duke u gdhirë dita 3 tetor 2023, u nda nga jeta në moshën 87 – vjeçare Xhemal Madan Bali, një person me një jetë plot sakrifica dhe arritje, dinjitet dhe respekt publik. Xhemali kishte lindur më 26 mars 1936 në fshatin Vërvë të bashkisë së Konispilit në një familje me tradita atdhetare dhe tradicionale, plot dinjitet dhe autoritet, njerëz autoritarë dhe trima, zot tëtvetes dhe të punës, që nuk u kishte munguar buka e gojës.

Xhemali ishte djali i madh i familjes, njeri kërkues ndaj vetes, që kishte mbaruar gjimnazin “Bido Sejko”, duke shkuar çdo ditë me këmbë nga vendlindja në Konispol, një largësi më e madhe se një orë kohë dhe kishte bërë edhe kurse veterinarie.


Xhemal Bali shquhej në fshat për zgjuarsinë e tij, kryelartësinë dhe trimërinë. Mjaft kohë ai ka punuar veteriner, ku kishte të bënte me barinjtë e fshatrave Vërvë e Dishat, tek të cilët ai kishte një autoritet dhe respekt të madh. Ishte koha kur partia dhe shteti nxorrën grupin armiqësor të Teme Sejkos dhe propaganda e Partisë së Punës krijoi një atmosferë mosbesuese për Zonën e Konispolit dhe çamët e ardhur nga Greqia.

Ministria e Punëve të Brendëshmë dhe Sigurimi i shtetit arrestuan mjaft njerëz si bashkpunëtorë të grupit tradhëtar e puçist, siç u quajt në atë kohë, të Temë Sejkos. Për sigurimin ishte e dobishme që të ngacmoheshin familjet më të fuqishme, që të mos ngrenin dot krye të tjerët. Në këtë rrjedhë ishte gjetur të goditej një grup të rinjsh kurajozë dhe të pavarur në jetën e tyre, të cilët kishin simpati të madhe për veterinerin e tyre Xhemal Bali…

Xhemal Bali – Mandela e Sarandës

Kështu u fabrikua me sajime, gënjeshtra dhe spiunë të porositur grupi prej pesë djemsh të rinj, se gjoja përgatiteshin për t’u arratisur dhe të shkonin në SHBA. Xhemal Bali kryelartë, nuk e pranoi aktakuzën dhe gjykata shtetit e dënoi me 17 vjet burgim politik si ideator dhe organizator i grupit të Vervës. Pas Xhemali linte gruan dhe dy vajza të mitura. Por familja kryelartë e tij nuk e mallkoi djalin e tij dhe as e fajësoi asnjëherë, duke e mbajtur dhe mbrojtur me dinjitet familjen e tij, e cila nuk e uli kokën kurrë dhe nuk lejoi askënd ta përbuzëte dhe poshtëronte. Dy vajzat e tij të bukura dhe dinjitoze bënë emër të mirë dhe askush nuk guxoi t’i të hidhte asnjë kokërr pluhuri mbi personalitetin e tyre.


Vetë Xhemali, ndonëse lëvizte nga njëri burg politik në tjetrin, as e pranoi kurrë fajin e sajuar dhe as e uli kokën para poshtërimit dhe dhunës së atyre burgjeve. Me lirimin e tij nga burgu pak para përmbysjes së diktaturës, mbajti një moral të lartë pa kërkuar hakmarrje ndaj dëshmitarëve servilë dhe as tentoi të fyente askënd pavarësisht posteve partiakë apo pushtetare. Ai mbajti qëndrime parimore dhe në mbështetje të ligjevë të kohës e orientoi shoqatën në mbështetje të proçeseve domkratike dhe të ligjeve të kohës, pa i rënë në hise askujt dhe nuk tregoi asnjë herë shfaqje të hakmarrjes ndaj ish-funksionarëve të Partisë së Punës dhe organeve të diktaturës. Gjatë viteve të demokracisë Xhemali është vlerësuar më mjaft tituj nderi dhe medalje të merituara nga organet e ndryshme te pushteti dhe shoqata tën ndryshme Brenda dhe jashtë vendit…


Ka disa njerëz, për të cilët mendohet se nuk ka vdekje. Nuk e kemi fjalën për fëmijët, të cilët mendojnë se prindërit e tyre janë të pavdekshëm. Por janë disa persona te veçantë, të cilët, me personalitetin e tyre, optimizmin dhe mospërfilljen e vështirësive, krijojnë bindjen te opinioni se ata nuk kanë vdekje. Prandaj kur vdekja i gjenë ata, thuhet: Vdiq edhe ai?! Si është e mundur!?
Midis të tillëve, njëri ishte Xhemal Bali. Me vitalitetin dhe kryelartësinë e tij ndaj vështirësive dukej sikur e largonte vdekjen shumë larg. Por ligjeve të Natyrës dhe të Zotit u nënshtrohen të gjithë njerëzit e gjallë.


Largimi fizik nga jeta i Xhemal Balit është një ngjarje e dhimbshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për bashkëfshatarët, Shoqatën e të Përndjekuve Politik, të njohurit e tij, kudo ku kishte qënë. I paharruar do të mbetet kujtimi i të ndierit Xhemal Bali. Nga HAMIT TAKA.

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon