Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në periferi të fshatit Vllahat dhe është përhapur me shpejtësi në fshatin Kostar dhe lagjet Xhermëhallë dhe Llakë në Delvinë. Flakët fillimisht rrezikuan banesat në zonë, duke krijuar një situatë emergjente që kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
Në përpjekje për të shuar flakët dhe për të mbrojtur banesat, janë angazhuar helikopterë zjarrfikës. Zjarri ka përpirë një pyll me pisha në periferi të Delvinës, pranë lagjes Xhermëhallë, duke shkaktuar dëme të mëdha në mjedis.
Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, punonjësve të Bashkisë Delvinë dhe banorëve të zonës, zjarri në Delvinë ende vijon. Situata mbetet kritike, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen në zona të tjera, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe jetën e njerëzve.
Në fshatin Kostar, zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha, duke djegur disa shtëpi të pabanuara. Ndërkohë, dëmet materiale janë të shumta dhe përmasat e dëmit po vlerësohen nga autoritetet përkatëse.
Zjarri ende nuk është vënë nën kontroll dhe rrezikon të përhapet më tej në fshatrat e afërta Brahilat dhe Mesopotam. Banorët janë në ankth, ndërsa autoritetet po bëjnë çdo përpjekje për të parandaluar përkeqësimin e situatës.