Panelet fotovoltaike, të djathtët gati të “rrëzojnë” Bashkinë

Mbledhja e Këshillit Bashkiak ditën e enjte pritet të ndiqet me shumë interes për shkak të tentativës së Bashkisë Sarandë për të miratuar projekt-vendimin për dhënien me qira të një sipërfaqje prej 60 ha për panele fotovoltaike.

E konsideruar si mbledhja më e rëndësishme deri tani e këtij mandati, ajo do të vendosë edhe “vulën” se nga do të anojë e djathta, e cila bashkë me PDIU dhe të pavarurin mund të vendosin veton me maksmimalisht 17 vota në Këshillin me 31 anëtarë.

Përvec qëndrimit publik të PDIU, publikuar nga Saranda Web gjatë dëgjesës publike, nga burimet tona mësohet se edhe këshilltarët e djathtë janë mbledhur disa herë në tryeza deri tani informale dhe kanë rënë dakort për votimin kundër të këtij vendimi. Mësohet se qëndrime të tilla janë shprehur edhe në kryesinë e Këshillit kur është miratuar rendi i ditës për mbledhjen e 29 shkurtit.

Përpos kësaj, sic informohemi, nuk kanë munguar tentativat nga ana e Bashkisë për të gjetur ndonje “dezertor” në rradhët e të djathtëve.

Edhe pse duket se deri tani asnjë i tillë nuk është gjetur, mbetet për t’u parë qëndrimi zyrtar në mbledhjen e së enjtes, e cila do të ketë edhe prezencë të mediave dhe banorëve të interesuar.

Please follow and like us:
fb-share-icon