Policia arreston motorristin 18-vjeçar, akuzohet për shpërndarje “cigaresh” – VIDEO

Sarandë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Motoristi”.

Shpërndante lëndë narkotike në lokale nate, në vijën bregdetare, me një motomjet të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, si dhe mbante armë të ftohtë me vete, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.

Sekuestrohen një sasi lënde narkotike cannabis e ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe arma e ftohtë (thikë).

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj tentativave për të shpërndarë lëndë narkotike, në lokale nate, në vijën bregdetare në Sarandë dhe në Ksamil, si dhe bazuar në inteligjencën policore se një i ri shpërndante lëndë narkotike, duke përdorur një motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Motoristi”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në rrugën “Kanali i Çukës”, një motomjet që drejtohej nga një 18-vjeçar, i cili nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj drejtuesit të këtij motomjeti, shtetasit N. H., 18 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, në çantën e supit shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa të ndarë të doza të gatshme për shitje dhe një armë të ftohtë (thikë).

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të 18-vjeçarit, si dhe sekuestrimin e lëndës narkotike, thikës dhe motomjetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon