Policia e Sarandës ka zhvilluar një operacion, i cili nisi në lagjen nr. 2, Sarandë, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve Kristo Angjeli dhe Aleksandra Angjeli (bashkëshortë), gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.
VIDEO
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Storage”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Kristo Angjeli 64 vjeç dhe Aleksandra Angjeli 62 vjeçe, të dy banues në Sarandë.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, të kryera në bashkëpunim.