Policia e Himarës njofton se në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, i vjen në ndihmë dy turistëve nga Gjermania, të cilat mbetën të bllokuara në zonën e quajtur “Gropat e Bufit” në Vuno.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit nga salla operative Vlorë për dy turistët që kishin kërkuar ndihmë, organizuan punën për t’u ardhur në ndihmë.
Shërbimet e rendit, së bashku me forcat zjarrfikëse të Himarës, mbërritën në vendin e dhënë dhe nisën menjëherë kërkimet. Pas 4 orësh, në kushte të vështira atmosferike, arritën të lokalizojnë turistet dhe menjëherë ju ofruan ndihmën e nevojshme.
Pas gjetjes, të dyja turistet gjermane ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe shprehën mirënjohjen e tyre për shërbimet që reaguan menjëherë dhe ju ofruan ndihmën e nevojshme, thuhet në njoftimin e Policisë.