Policia sqaron situatën: “Pistoleta” e gjetur nga policët e bashkisë në shëtitoren e Sarandës ishte lodër.
Policia e Sarandës ka sqaruar se objekti që u gjet mëngjesin e kësaj të mërkure në një lulishte të shëtitores “Naim Frashëri”, mbi plazhin “Centrali”, nuk ishte armë zjarri. Sipas burimeve policore, pas verifikimeve dhe ekzaminimeve të kryera, objekti i gjetur rezultoi të ishte një armë imituese që përdor sfera plastike dhe jo një pistoletë e vërtetë.

Nga kontrolli i specialistëve ka rezultuar se arma lodër kishte ngjashmëri pothuajse perfekte me një armë zjarri të tipit pistoletë, çka bëri që në momentin e parë të dyshohej se bëhej fjalë për një armë të vërtetë.
Objekti ishte pikasur në orët e para të mëngjesit nga efektivë të Policisë Bashkiake të Sarandës, të cilët njoftuan menjëherë Policinë e Shtetit dhe siguruan zonën deri në mbërritjen e grupit hetimor.
Pas sqarimit të rrethanave, rezulton se nuk ka elementë që lidhen me përdorimin e një arme zjarri, ndërsa rasti është dokumentuar nga autoritetet përkatëse. Saranda Web
Gjendet një pistoletë mes luleve në shëtitoren e Sarandës, Policia në kërkim të “pronarit”








