Prokurorja Besiana Sadikaj ka kërcënuar eprorin e saj dhe kolegët e Prokurorisë së Sarandës, duke u thënë: “do t’ju fus në burg nga i pari deri te i fundit” gjatë një përballjeje në zyrën e tij. Ngjarja ka ndodhur pasi Drejtuesi i Prokurorisë ne date 29.7.2024, i kërkoi informacionin paraprak prokurores me qëllim vlersimin e rastit dhe marrjen e një vendimi për zëvendësimin ose jo të prokurorit për vijimin e drejtimit të hetimeve të cështjes penale nr 380/2024
Ky detaj u zbulua nga drejtuesi i Prokurorisë Sarandë Kledian Llaho një reagim të një shkrimi publikuar në Reporter.al.
Sipas Llaho-s, ky kërcënim është vetëm një shembull i qasjes konfliktuale të prokurores me kolegët dhe hetuesit, që e bënte të pamundur vazhdimin e saj në këtë çështje. Ai argumentoi se vendimi për ta larguar Sadikajn nga hetimi bazohej në konflikte personale, të cilat rrezikonin paanshmërinë e procesit hetimor.
Vendimmarrja e drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho e datës 8 gusht për zëvendësimin e Sadikajt, është bazuar mbi një kërkesë të një oficereje të policisë gjyqësore.
Besiana Sadikaj e kundërshtoi këtë vendim, duke pretenduar se ishte arbitrar dhe cenonte pavarësinë e saj si prokurore. Ajo kërkoi nga KLP që të shfuqizohej vendimi i Llaho-s, duke e cilësuar të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.
Në fund, KLP vendosi të pranonte ankesën e Sadikajt dhe shfuqizoi vendimin e Llaho-s, duke argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të justifikuar njëanshmërinë e pretenduar nga ai.