Promovohet libri i Vangjel Agora: “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”
Mbrëmjen e sotme, në ambientet e hotelit “Lindi” në Sarandë, u zhvillua promovimi i librit më të ri të artistit të njohur sarandjot Vangjel Agora, me titull “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”. Ky botim vjen si një homazh i veçantë për historinë e artit skenik në Sarandë dhe veçanërisht për veprimtarinë artistike të gjimnazit “Hasan Tahsini”, një vatër ku për dekada me radhë u kultivua talenti dhe dashuria për skenën.
I lindur dhe rritur pranë bregut të kaltër të Jonit, Vangjel Agora rrëfen se ideja për këtë libër ka nisur shumë vite më parë, gjatë një udhëtimi të gjatë artistik që zgjati rreth katër dekada në Estradën Profesioniste të Sarandës, ku ai shërbeu si aktor, regjisor dhe drejtues. Gjatë kësaj periudhe ai mblodhi kujtime, dokumente, fotografi dhe dëshmi të shumta që sot përbëjnë bazën e këtij botimi të rëndësishëm për historinë kulturore të qytetit.
Libri sjell një panoramë të detajuar të zhvillimit të lëvizjes artistike në gjimnazin “Hasan Tahsini”, duke dokumentuar aktivitetet teatrale, dramat, interpretimet dhe figurat që i dhanë jetë skenës së qytetit. Sipas autorit, veprimtaritë artistike të kësaj shkolle jo vetëm pasuruan jetën kulturore të Sarandës, por u shndërruan edhe në një bazë të rëndësishme për ringritjen dhe zhvillimin e institucioneve kulturore në vitet që pasuan.
Nga kjo shkollë kanë dalë rreth shtatëmbëdhjetë talente që më pas u bënë emra të njohur të skenës shqiptare, mes tyre Josif Papagjoni, Luiza Xhuvani, Laert Vasili, Albano Bogdo, Zef Mosi, Ervina Kotolloshi, Armela Demaj dhe shumë të tjerë. Libri rikthen atmosferën e atyre viteve duke dokumentuar rrugëtimin e tyre të hershëm dhe ndikimin që pati gjimnazi në formimin e tyre artistik.
Gjatë përgatitjes së veprës, autori është mbështetur në një dokumentacion të pasur që përfshin burime arkivore, fletë-volante, materiale nga muzeu i gjimnazit “Hasan Tahsini”, si dhe dëshmi të shumta nga ish-nxënës dhe mësues që kanë qenë pjesë e historisë së artit skenik në këtë shkollë. Sipas Agorës, çdo faqe e librit është një pjesë e rrjetës së kujtimeve që formojnë “tapetin e trashëgimisë kulturore të qytetit tonë”.
Aktiviteti për promovimin e librit të Vangjel Agora: “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”
Aktiviteti i promovimit u hap dhe u drejtua nga Xhorxhi Vasili, i cili me përkushtimin e tij ka krijuar edhe muzeun e gjimnazit “Hasan Tahsini”. Gjatë mbrëmjes u shfaq gjithashtu një insert filmik kushtuar artistëve që hodhën hapat e parë në skenën e kësaj shkolle, ndër ta edhe Vangjel Agora, Luiza Xhuvani dhe Laert Vasili, duke rikthyer emocione dhe kujtime nga një periudhë e rëndësishme e jetës artistike të qytetit.
Në këtë veprimtari përshëndetën dhe ndanë kujtimet e tyre disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve të autorit. Morën fjalën Shkëlqim Hajno, shoqja e shkollës Vera Sterjo, si dhe Ermir Hoxha dhe Mira Birjami, të cilët vlerësuan punën dhe përkushtimin e Agorës për të dokumentuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë kulturore të Sarandës. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu edhe nga prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi.
Në përmbyllje të kësaj mbrëmjeje kulturore, fjalën e mori vetë autori Vangjel Agora, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ndau reflektime mbi rrugëtimin që e çoi drejt këtij botimi. Ai theksoi se libri është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një tradite artistike që ka ndikuar në formimin e shumë figurave të skenës shqiptare, duke u bërë njëkohësisht një thirrje për brezat e rinj që të vlerësojnë artin, kulturën dhe trashëgiminë e qytetit.
Autori shprehu gjithashtu falënderim të veçantë për mikun e tij, Dr. Vasil Llajo, i cili ka marrë përsipër botimin e kësaj vepre. Sipas Agorës, procesi i përgatitjes së librit ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm, por i domosdoshëm për ruajtjen e kujtesës kolektive të Sarandës.
Promovimi u mbyll në një atmosferë miqësore dhe plot emocion, duke rikthyer në kujtesë kohët kur skena e gjimnazit “Hasan Tahsini” u bë një strehë e vërtetë për shkëndijën e artit skenik në Sarandë. Saranda Web









