Qëlloi në ajër me armë pasi u konfliktua me 2 persona, identifikohet dhe shpallet në kërkim

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, bazuar në inteligjencën informative se një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Xarrë, Konsipol, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit A. A., 25 vjeç, banues në Berdenesh, Sarandë.

Ky shtetas dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri automatik, në ajër, për të kanosur dy shtetas të tjerë, me të cilët ka konflikte për një kullotë, në fshatin Xarrë. Më pas, ai ka hedhur armën në një zonë të pyllëzuar.

Gjatë kontrollit të territorit është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit automatik, me të cilën shtetasi A. A. dyshohet se ka gjuajtur në ajër. Arma e zjarrit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me krehrin me fishekë.

Vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit A. A.

Materialet për këto raste i kaluan Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Please follow and like us:
fb-share-icon