Qeveria plan për të peshuar plehrat: kush hedh pak, paguan më pak
Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim publik Programin Kombëtar të Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve, ku parashikohet një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si familjet dhe bizneset do të paguajnë për mbetjet urbane. Në qendër të këtij programi qëndron vendosja e parimit “Paguaj sipas hedhjes” (PAYT), sipas të cilit çdo qytetar apo subjekt do të paguajë në bazë të sasisë reale të mbetjeve që gjeneron.

Sipas dokumentit, familjet dhe bizneset nuk do të paguajnë më një tarifë fikse mujore, por një taksë “individuale”, të lidhur drejtpërdrejt me peshën dhe/ose vëllimin e mbetjeve të përziera që hedhin. Ndërkohë, mbetjet e riciklueshme do të përjashtohen nga tarifa, me synimin për të nxitur ndarjen në burim dhe reduktimin e mbetjeve.
“Sistemi PAYT konsiderohet një nga instrumentet ekonomikë më efektivë për reduktimin e mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm”, thuhet në masën 6 të programit.
Edhe pse në letër sistemi paraqitet si modern dhe në përputhje me praktikat evropiane, vetë qeveria pranon se zbatimi i tij kërkon ndryshime thelbësore si në mënyrën e tarifimit, ashtu edhe në sistemin e grumbullimit të mbetjeve.
Modeli aktual me kontejnerë të përbashkët pritet të zëvendësohet gradualisht me kosha ose kontejnerë individualë, të pajisur në mënyrë që të mundësojnë matjen e saktë të mbetjeve për çdo familje apo biznes. Një ndryshim që ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetet financiare dhe logjistike të bashkive, sidomos në zonat turistike dhe ato rurale.
Në shumë bashki, përfshirë edhe ato të jugut të vendit, problematika e mbetjeve mbetet ende bazike: mungesë koshash, grumbullim i parregullt, mungesë ndarjeje në burim dhe ankesa të vazhdueshme nga qytetarët. Në këtë realitet, kalimi në një sistem të sofistikuar matjeje individuale duket më shumë një sfidë e madhe, sesa një proces i lehtë reformues.
Sipas planit, sistemi PAYT pritet të vihet në zbatim jo më vonë se viti 2029, duke i vendosur bashkitë përballë detyrimit për të plotësuar kuadrin ligjor dhe infrastrukturën e nevojshme.
“MM do të iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore për adoptimin e sistemit PAYT… Bashkitë do të fillojnë të aplikojnë tarifimin PAYT për familjet dhe subjektet e biznesit, jo më vonë se viti 2029”, thuhet në dokument.
Por kritikat nuk mungojnë: a do të shoqërohet kjo reformë me investime reale, fushata sensibilizuese dhe mbështetje financiare për bashkitë dhe qytetarët? Apo rrezikon të kthehet thjesht në një taksë të re, që rëndon më shumë mbi familjet dhe bizneset e vogla?
Ndërsa qeveria flet për nxitje ekonomike dhe konsum të përgjegjshëm, mbeten ende të paqarta disa çështje kyçe:
- Si do të kontrollohet abuzimi dhe hedhja e mbetjeve jashtë sistemit?
- A do të penalizohen qytetarët në zona ku riciklimi realisht nuk funksionon?
- Kush do të mbajë përgjegjësi nëse shërbimi i mbledhjes mbetet i dobët, por fatura rritet?
Në fund, parimi “kush hedh më pak, paguan më pak” tingëllon drejt në teori. Por pa një sistem funksional, transparent dhe të barabartë për të gjithë, rrezikon të kthehet në një tjetër barrë financiare për qytetarët, në vend që të jetë një zgjidhje reale për krizën e mbetjeve.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb









