Në Kakavijë nuk ka asnjë problem tani që flasim, ndërkohë që në Kapshticë kemi 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjen. Në një kohë tjetër kjo që po them do të ishte absurde por në këtë kohë është e vetmja rrugë që ne kemi, që të dekurajojmë maksimalisht hyrjet në kufi dhe nga ana tjetër kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut, përmes pengesës që i krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre, synon të nxisë katastrofën. E them këtë pa as më të voglin dyshim. Është fakt i njohur botërisht, që Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë edhe një herë Shqipërinë për llogaritë e tij halucinante. E solla këtu këtë emër krejt të papëlqyeshëm për shumicën e shqiptarëve si zanafillën e një procesi skandaloz politik nxitje të rrëmujës por në këtë rast është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. E një zinxhiri vdekjesh që është larg së qeni ai që do të ishte nëse do të shkojmë me mend e Saliut dhe atyre që i bien këtij avazi. Është e pajustifikueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve, dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi. Kufijtë janë të mbyllur për të mbrojtur jetën e atyre këtej e andej kufirit.
Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufi tokësor me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye.
Kush do të vijë në kufi me pretendime të një natyre tjetër do të karantinohet për 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzimet e veta. 14 ditë në hotel në dhomë mbyllur ku do të marrë ushqimin dhe do të paguajë vet një çmim fiks. Do të kontrollohen nga policia dhe do të jetë e ndaluar dalja nga dhoma. Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë, Shqipërinë nga katastrofa.