Rikthehen me ligj bastet online!

Nga sot, zyrtarisht bastet online do të jenë të ligjshme. 10 kompani kanë të drejtën për të kërkuar të licencohen me afat 10 vjeçar. Në garë mund të hyjnë vetëm ato kompani që për tre vjet kanë ushtruar këtë aktivitet në vendet e BE.

Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit. Po ashtu nuk duhet të kenë ndjekje penale si dhe nuk duhet të mbartin detyrime ta papaguara.

Për të aplikuar kompania duhet të ketë kapital themeltar 40 milionë lekë, ndërkohë tarifa e licencimit për ushtrimin e këtij aktiviteti është 400 milionë lekë.

Për të luajtur online, persona do të regjistrohen me kartën e identitetin në faqen ueb, ose aplikacion, të gjitha transaksionet do bëhen nëpërmjet sistemit bankar dhe organizatorët janë të detyruar që të mbajnë të dhënat e lojtarëve në një regjistër të posaçëm për tre vite.

Sipas qeverisë kjo është një masë për të kontrolluar paratë që do të qarkullojnë në këtë aktivitet.

Ndërkohë për të mbrojtur lojtarin dhe për ti dhënë garanci fituesit në ligj është vendosur që organizatori i basteve sportive online duhet të ngurtësojë një fond prej 120 milionë lekësh por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat

Dhjetë kompanitë brenda datës 15 të çdo muaj duhet të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm 15% të ardhurave bruto nga loja, kurse lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, pra me fasha nga 13-23%.

Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm që shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, dhe teknologjisë së inovacionit. Sistemet e këtyre kompanive bastesh do të auditohen ka Komisioni i Licencave.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon