Rritja e çmimit të karburantit, Rama debaton ashpër me ndjekësit në facebook

Në një kohë kur çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit në rrjetet sociale, pasi këto të fundit kanë shprehur shqetësimin për rritjen e çmimit. Kryeministri është pyetur se përse nuk ka një kontroll për rritjen e çmimeve.

“Çfarë po ndodh me çmimin e naftës dhe miellit, si është e mundur qe nuk ka një kontroll për këto gjëra? S’është e drejtë të rriten çmimet në çdo sekond, duhet të keni një zgjidhje për këtë”, e pyet komentuesi.

Rama i thotë komentuesit se Ukraina është në luftë të vërtetë dhe sanksionet që janë marrë nga Perëndimi kundrejt Rusisë kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Rama shkruan se rritja e çmimit të karburantit nuk është e drejtë, por në këtë situatë nuk ka një zgjidhje tjetër dhe se vendi ynë është i detyruar të marrë një pjesë të barrës së luftës.

Kryeministri thekson se qeveria nuk e ka të mundur kontrollin e çmimeve në bizneset private. Ai sjell shembullin e energjisë elektrike, ku shkruan se qeveria nuk e ka ndryshuar çmimin ndonëse në Europë është rritur.

“Po bëhet luftë, luftë prej vërteti, luftë me bomba e me viktima e me plagë te jashtëzakonshme, kjo po ndodh dhe po të ishte i mundur kontrolli i çmimeve nga qeveria, do e kishte ndonjë qeveri në Europë ku çmimet po rriten edhe më frikshëm se këtu, ndërkohë që këtu nuk po rritet ende energjia elektrike, pikërisht sepse shteti që e shet dhe e blen energjinë, ndryshe nga nafta e mielli e tërë të tjerat që shiten e blihen nga privatet, po e mban me dhëmbë kur i thonë llafit pikërisht që të lehtësojë sadopak familjarët! Që s’është e drejtë kjo nuk diskutohet, po s’ka si të mos ndodhë në këto kushte alarmi në të gjitha tregjet dhe me sanksionet ndaj Rusisë që është eksportuesi më i madh në Europë i gazit, naftës dhe grurit, por ama nga ana tjetër s’ka se si të mos e marrim edhe ne bashkë me tërë të tjerët, një pjesë të barrës së luftës së ukrainasve kundër një agresioni ushtarak mbi shtetin e tyre sovran e demokratik, sepse historia na ka mësuar më shumë se një herë që kush mbyll sytë kur i vjen tjetrit lufta në shtëpinë e vet, shumë shpejt e ka luftën në shtëpinë e tij”,  i përgjigjet Rama-komentuesit.

Vendi ynë po përballet me një rritje të shfrenuar të çmimit të karburanteve. Ditë pas dite çmimet po pësojnë ndryshime. Këtë të shtunë shoferët në pikat e karburanteve janë përballur me çmime më të larta, ku vetëm një litër naftë tregtohet me 230- 240 lekë për litër. Më datë 29 shkurt nafta kushtonte 190 lekë për litër 5 ditë më pas, sot një litër naftë në Tiranë kushton 230 lekë, 40 më shumë.

Please follow and like us:
fb-share-icon