Një konflikt në një lokal nate mes pronarit në Prizren dhe 3 të rinjve nga Kukësi ka përfunduar në të shtëna me armë. Për pasojë ka mbetur i vdekur 31-vjeçari i identifikuar si Visart Cengu nga Kukësi.
Ai bashkë me 2 shokët e tij, Arben Basha dhe Rufgen Shehu, 27 vjeç janë konfliktuar me grushte me Dibran Hoxhën, pronari i lokalit të natës ‘Kobra’ në Prizren, ku janë qëlluar me armë zjarri kur po largoheshin me automjet. I plagosur mbeti Rufgen Shehu. Të rinjtë nga Kukësi nuk ishin të armatosur.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në dalje të Prizrenit. Pasi u plagosën, 3 të rinjtë janë nisur drejt pikës kufitare të Morinës ku treguan se si ndodhi ngjarja dhe u nisën me urgjencë drejt spitalit të Kukësit, por Cengu ndërroi jetë rrugës. Ndërsa 27-vjeçari, pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e Kukësit është transportuar në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Dibran Hoxhaj dyshohet se është autori i vrasjes së 31 vjeçarit Visar Cengu dhe plagosjes së shokut të tij Rufgen Shehu brenda lokalit ‘Kobra City’ në Prizren.
Pas përplasjes fizike, konflikti është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës. Ka qenë Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si ‘Cobra’ ai i cili ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, duke plagosur njërin prej tyre dhe duke lënë të vdekur 31 vjeçarin.
Dibran Hoxhaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike jashtë lokalit të tij në Prizren.