Shkelqim Hajno prezanton në vendlindje “Hebreun e Fundit” – VIDEO

Shkelqim Hajno prezanton në vendlindjen e tij, në Tepelenë, librin e tij “Hebreun e Fundit”

Në këtë aktivitet të organizuar nga Botimet “Fishta” dhe Bashkia Tepelenë, kanë marrë pjesë kryetari i bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi, kryetari i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, përfaqësues të komuniteteve fetare, miq, qytetarë dhe nxënës nga Tepelena.

Nga kopertina e librit më të fundit të gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit tepelanas-sarandiot Shkelqim Hajno, duket një pamje me dy ngjyrime, ku sfondi mes blusë dhe të verdhës kashtiset me tipare elegante dhe melankolike që tentojnë të parathonë atë që struket në memorje te „Hebreu i Fundit“. Ky është libri me tregime dhe novela i autorit, një autor i panjohur për mua deri vonë, tregimet dhe botimet e të cilit më goditën drejtpërdrejt në interes. Ku dhe pse na „e fshehën“ (apo ndejti heshtur vetvetiu) kaq gjatë këtë shkrimtar të tillë me një penë të mprehtë në Sarandë? Me një stil shumë poetik, Shkelqim Hajno, duket se është mik vetëm me penën e tij dhe një krijues që admiron lirinë dhe vetveten në krijimet e tij, aq sa dhe libri në fjalë duket se është përtej volumit të faqeve që kapin numerikisht treqind e tridhjetë e treshin. Ai ka një udhëtim të gjatë në gazetari dhe kjo vjen nga koha e „Bashkimi“-it, ku luajti rolin e korrespodentit të asaj kohe. Tepelena që e lindi dhe e rriti i dha atij emrin e gazetarit në një shteg disi të diktuar, por Saranda vite të tjera e mbushi thelbin më të ndjeshëm në këtë fushë, saqë gazetari tashmë ka mprehur penën më mirë e më dukshëm stilikisht, duke bërë një udhëtim ndryshe mes hapësirës së lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë tek stacioni i tij tregimi dhe novela.

Në fakt të dyja rrugët e tij, ajo e gazetarisë dhe kjo e librit tashmë, pra stilistikisht, të dyja më duken shumë të afërta drejt lirisë së mendimit, ndryshe nga koha kur gazetari e tij kishte direktivat nga lartë. Dhe ja pra, Hajno është debutues tashmë edhe në prozë. Ai ka diçka nga idealizmi i kohërave dhe melankolia urbane e viteve në penë e në talent. Ka kohë që nuk kam lexuar një letërsi kaq njerëzore dhe të ngrohtë, e cila paqësisht thotë ndryshimin në kohë, hapësirë dhe vend, nga këndi i një gazetari të dy kohërave. Nuk ka asnjë shenjë cinizmi dhe tejshkuarje të sforcuar tek moderniteti. Jam i bindur fort se tregimet e tilla te „Hebreu i Fundit“ janë ndër ato tregime që na bëjnë njerëz më të dhembshur dhe njerëzorë.

Shkelqim Hajno i ka kushtuar vëmendje gjithçkaje, nga shqetësimet e vogla deri te dëshirat e paqarta romantike të intelektualit urban. Vendbanimi dhe arsyet, shkalla kombëtare e besimit dhe mosbesimit dhe shqetësimet, kërkimi i ndrojtur për një ideal të ri, spekullimet, argëtimi i lirë, të formësuarit e rinj, të cilët kanë grumbulluar një kulturë tjetër nga lëvizjet e freskëta. E gjithë kjo e përcjellë me një vizatim të ngrohtë, intim, të butë që të bën të lumtur, por edhe mjaft të trishtuar.

Imazhet janë të pabesueshme – Kambana e Katarës, Vdekja e Janit, Arhondi i Rexhinës, Hebreu i fundit, Lulet e bajames së egër, Minello Bolena, Buka e ndarë, Hari Muka, Ditëlindja e Majorit, Ura, Antikohë, e mjaft të tjera që përbëjnë diksursin e formësuar të leximit ndjeshëm tek ky libër i autorit në fjalë.

Shkelqim Hajno i kushton vëmendje personit dhe fatit të tij të vogël e të brishtë, dhimbjes personale, e cila për atë që e mbart është gjigante. Të gjithë janë të rëndësishëm, të gjithë kanë një vend në tokën e paanë, nuk ka gradim të ëndrrave, nuk ka hierarki kujdesesh. Në faqe është shqiptari i i ndjeshëm, i turpshëm, i ndrojtur, i dashur në mënyrën e tij, me një dashamirësi shumë të thjeshtë dhe të ashpër.

Hajno alternon me mjeshtëri rrëmimin e zakonshëm popullor me talentin dhe realitetin e diktuar sipas rrethanave kohore të njerëzve urbanë, dhe përshkrimet natyrore janë të lëngshme dhe sensuale. Një shkrimtar i vërtetë, i lexueshëm. Nuk mund të shpreh sa shumë u dashurova me këtë libër:

“Pleqtë e mbetur në fshatin kufitar të minoritetit grek nuk mbanin mend të kishte vdekur ndonjë i huaj në fshatin e tyre….( Vdekja e Janit )”

“Majori që kishte parë Shangain për shumë ditë, fliste me shokët me superlativa për zhvillimin kapitalist të Kinës“ (Ditëlindja e Majorit).”

“Era e mirë e vjeshtës së vendlindjes tani i lëkund mbi ballë një shtëllungëz me flokë të argjendta si retë mbi Shebenik, ndryshe nga ai ndajmëngjes…(Buka e ndarë).”

Kështu duke lexuar këtë libër të shkrimtarit Shkëlqim Hajno na duket se vetvetiu autori në rolin e narratorit gjetkë, po aq portretizimi i karaktereve të tij që gjuajnë nga dykëndësia shprehen “Doja të isha një shqiptar me ndërgjegje evropiane dhe një evropian me vetëdije shqiptare.“

Website SarandaWeb

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon