Shoqata e Rinisë së Bashkisë Finiq mbledh mbi 8 mijë euro për blerje paisjesh për zjarrfikësit
Pas zjarreve të mëdha që goditën zonën e Bashkisë Finiq gjatë kësaj vere, Shoqata e Rinisë ndërmori një nismë të rëndësishme solidariteti për të mbështetur Shërbimin të Zjarrfikësve.
Në kuadër të kësaj nisme, brenda 24 orëve janë grumbulluar fonde që i kalojnë shifrën e 8 mijë eurove, të cilat do të shërbejnë për blerjen e pajisjeve mbrojtëse dhe mjeteve zjarrfikëse. Këto mjete do t’u mundësojnë forcave zjarrfikëse të kryejnë detyrën e tyre me më shumë siguri dhe efikasitet, në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve.
Flakët e kësaj vere prekën rëndë shumë fshatra të Bashkisë Finiq. Zjarri hyri në Dhivër, Velahovë, Livinë, Kronj, Krane, Navaricë, Cerkovicë, Leshnicë, Malçan e më gjerë, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Dhjetëra shtëpi u dogjën, ndërsa u shkatërruan mijëra rrënjë ullinj, vreshta, dardha dhe pemë të tjera frutore. Përveç kësaj, u dëmtuan rëndë edhe sipërfaqe të mëdha pyjore, duke lënë pasoja afatgjata për mjedisin dhe ekonominë bujqësore të banorëve.
Kjo përpjekje është përkrahur gjerësisht nga i gjithë Minoriteti Grek në Shqipëri, si edhe nga grekët e minoritetit të shpërndarë në mbarë botën dhe qytetarë të Greqisë, të cilët shfaqën solidaritet të vërtetë me vendin tonë.
“Qëllimi ynë është të tregojmë se me unitet dhe bashkëpunim mund të mbrojmë vendin tonë dhe t’ia lëmë brezave të ardhshëm një vend të sigurt dhe plot jetë,” – theksojnë përfaqësuesit e Shoqatës së Rinisë.
Kjo nuk është hera e parë që Shoqata e Rinisë së Bashkisë Finiq angazhohet për kauza të tilla. Më herët, ajo ka dhuruar katër elektrokardiografë modernë për Spitalin e Sarandës dhe për qendrat shëndetësore të Bashkisë Finiq, duke dhënë një shembull të qartë të angazhimit qytetar.
Shoqata u bën thirrje të gjithë qytetarëve të aktivizohen dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me pushtetin lokal, në mënyrë që bashkia të jetë më e përgatitur për të përballuar sfidat e emergjencave civile.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb