Shpëtim Ahmeti: Opozitar nuk të bën prapaskena për të shpëtuar lëkurën nga taksat

Anëtari i Këshillit Bashkiak Sarandë Shpëtim Ahmeti ka reaguar për të sqaruar votën pro propozimit të kryetarit të bashkisë Sarandë dhe kundër propozimit të këshilltarëve të dhjathtë.

Shpëtim Ahmeti: Opozitar nuk të bën prapaskena për të shpëtuar lëkurën nga taksat: Opozitar nuk të bën prapaskena për të shpëtuar lëkurën nga taksat

Marr shkas nga shkrimi “Zbulohet prapaskena”, publikuar sot në portalin Saranda Web, ku përmendet dhe emri im, i këshilltarit Shpëtim Ahmeti, për të sqaruar opinionin publik, i cili duhet të kuptojë se prapaskena qëndron krejt ndryshe.

Por është në interesin e prapaskenistëve, që të shtiren se gjoja janë duke bërë opozitë, kur në fakt janë duke luajtur në prapaskenë, në mbrojtje të interesave vetjake.

Si çdo shoshë tjetër, edhe kjo që ata përdorin, nuk e mbulon dot diellin e së vërtetës.

Ju kujtoj aktorëve të vegjël të kësaj loje, se unë jam lindur demokrat dhe jam anëtar i PD prej 14 shkurtit 1991. Me këtë forcë politike filluan bindjet e mia dhe me këtë do të mbyllen. Në 33 vite nuk u tunda nga ato bindje e ideale, në të cilat besoj së brendshmi.

Mandatin e anëtarit të Këshillit Bashkiak e kam jo për t’u shërbyer konjukturave dhe korrenteve që fryjnë korridoreve të politikës, por si një mision sa qytetar dhe partiak.

Edhe pse jam për të tretën herë Këshilltar Bashkiak (2007-2011, 2015-2019, 2023-2027), në asnjë rast nuk ka ndodhur e nuk do të ndodhë t’i shtrij dorën pushtetit, në shkëmbim të favoreve apo përfitimeve nga statusi i Këshilltarit. Kjo më ka shtuar dinjitet e sovranitet, në qëndrimet dhe në votën time. Kam bërë opozitarin e vërtetë dhe duke mos pranuar të bëj pazare me besimin e votuesve të mi. Për mua i pari është Qyteti dhe Qytetari dhe interesat e tij.

Po e deklaroj pa asnjë rezervë se Kryetarin aktual të Bashkisë as e kam votuar e as do ta votoj ndonjëherë, sado herë që ai të kandidojë. Por po e bëj edhe një herë të qartë se ato vendime të tij, që i gjykoj se janë në interes të qytetarëve, bizneseve apo të komunitetit në tërësi, do t’i votoj, pa patur asnjë kompleks. Këtë tregova edhe me votimin e fundit, duke bërë të kundërtën e asaj që bënë kolegë të mi, të cilët, në masën 90% të grupit, e kundërshtuan me mbrapaskena vendimin e Bashkisë.

Janë pronarë hotelesh? Shumë mirë që janë, por duhet të paguajnë, përpara se t’i kërkojnë Bashkisë shërbim. Industria hoteleri-turizëm, që merr zhvillim në Bashkinë tonë, promovohet fuqishëm edhe në mediat ndërkombëtare, nga të cilat destinacionet turistike të Sarandës dhe Ksamilit, janë cilësuar si Maldivet e Evropës. Është absurditet që hotelierëve të kësaj Sarande e Ksamili, t’u shkojë nëpër mend për t’i “shpëtuar” pagesave.

Ja përse kam votuar dhe do të votoj çdo projektvendim të Bashkisë, që do t’i shërbejë rritjes turistike në rrugë të mbarë në qytetin tim.

Sikurse kam refuzuar dhe do të refuzoj t’i jap votën pro, çdo projektvendimi, qoftë ai i ardhur nga Kryetari apo nga kolegë të mi, që gatuhet me prapaskena, për qëllime dhe favore personale, në dëm të taksapaguesve në Bashkinë Sarandë.

Unë jam i hapur, nëse kanë dëshirë, të përballem me secilën palë, qoftë nga ekzekutivi i Bashkisë, apo nga kolegë të mi, për t’i përplasur qasjet e kundërta qoftë dhe në debat publik, me specialistë nga më të mirët e fushës ekonomike. Nëse do të rezultojë se jam unë që kam vepruar në dëm dhe në kundërshtim me interesat e publikut, nuk do të hezitoj të kërkoj ndjesë publike. Por nëse rezulton se ky dëm publikut i vjen nga qëndrimi i grupit të gjasme opozitaristëve, në mbrojtje të interesave të vogla, unë dhe publiku jemi në të drejtën tonë, që të dëgjojmë ndjesën e tyre.

Mos mendoni ju se jeni duke fituar kredo politike, duke bërë publikime për show prej opozitari dhe duke kryqëzuar ata që nuk dinë të shtiren dhe të bëjnë opozitë për opozitë, siç dini të bëni ju.

SHPËTIM AHMETI
Anëtar i Këshillit Bashkiak Sarandë

Please follow and like us:
fb-share-icon