Shqipëria pjesë e panairit ndërkombëtar të turizmit në Spanjë! Prezantohet mes 152 vendeve

Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur”, Madrid që do të mbahet mbahet nga data 24 deri në 28 janar. Në ceremoninë e hapjes së panairit do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama me një axhendë takimesh me përfaqësues të lartë të këtij sektori si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit.

Në stendën e Shqipërisë do të prezantohet diversiteti i ofertës sonë turistike mes 152 vendesh pjesëmarrëse. Nën sloganin “Albania, all you need is here”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve duke promovuar destinacione të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

“Shqipëria nis promovimin ndërkombëtar si një destinacion unik turistik me pjesëmarrjen në panairin gjigand të turizmit “FITUR Madrid” nga 24 deri më 28 janar, për të prezantuar diversitetin e pasur turistik, një oaz i parajsave të vogla dhe mikpritjes shpirtërore që qëndron me krenari përballë turizmit global”, shkruan Rama.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një komunikimi publik, prezantoi spotin promovues të stendës së Shqipërisë, një parajsë e turizmit lokal përballë turizmit global.

“Me një agjendë të nivelit të lartë dhe shumë takime me turoperatorë e përfaqësues të sektorit të turizmit në “shtëpizën” tonë ujdisur me shumë përkushtim nga stafi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në këtë panair ndërkombëtar prezantojmë diversitetin e pasur turistik, një oaz i parajsave të vogla, lokale e mikpritjeje shpirtërore që qëndron me krenari përballë turizmit global e gjitha për t’u zbuluar”, është shprehur ministrja Kumbaro.

Për vitin që shkoi, Shqipëria priti 87 mijë vizitorë spanjollë, ndërkohë që media e njohur spanjolle “El Debate” e ka shpallur Shqipërinë si ‘destinacionin trend’ për vitin 2024, duke rritur pritshmëritë për tërheqjen e vizitorëve nga ky shtet.

Please follow and like us:
fb-share-icon