Tanush Caushi: Është koha të transformojmë kujdesin shëndetësor për sklerozën multiple
Investimi në shëndet është investim në jetë, ekonomi dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Një studim i fundit i realizuar nga Fondacioni “Pema e Jetës”, i publikuar me mbështetjen e ekspertëve të fushës dhe organizatave ndërkombëtare, vjen si një thirrje për reflektim dhe veprim të menjëhershëm: kujdesi shëndetësor për sklerozën multiple në Shqipëri ka nevojë për një transformim rrënjësor.
Skleroza multiple, një sëmundje kronike, progresive dhe shpesh invalidizuese, po prek gjithnjë e më shumë njerëz në vendin tonë. Në mungesë të një qasjeje të unifikuar dhe të mbështetur financiarisht nga shteti, shumë pacientë përballen me sfida të mëdha për të marrë diagnozën në kohë, për të ndjekur trajtimet e duhura dhe për të ruajtur cilësinë e jetës.
Në një intervistë, drejtuesi i Fondacionit “Pema e Jetës”, z. Tanush Caushi, thekson rëndësinë e këtij studimi dhe pasojat pozitive që do të kishte një reformë e mirëstrukturuar në këtë fushë:
“Ne kemi prova të qarta se, nëse rritet numri i pacientëve që marrin trajtim sipas protokolleve bashkëkohore, do të kemi më shumë vite jetë të fituara dhe shumë jetë të shpëtuara. Kjo nuk është vetëm një çështje shëndeti, por edhe një çështje ekonomike dhe sociale.”
Sipas të dhënave të studimit, përfitimet ekonomike janë të jashtëzakonshme. Implementimi i një programi universal për trajtimin e sklerozës multiple, do të mundësonte jo vetëm përmirësim të shëndetit publik, por edhe kursime në buxhetin e shtetit që llogariten mbi 9 milionë euro në vit – një shifër që duhet ta vendosë këtë çështje në krye të agjendës shëndetësore kombëtare.
“Paratë që investohen në shëndet nuk janë një barrë. Ato janë një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen – për jetë më të gjata, më të shëndetshme, dhe për qytetarë që kontribuojnë në shoqëri,” – shton Caushi.
Ai nënvizon se Shqipëria ka potencialin për të ndërtuar një sistem më të drejtë dhe më efikas për pacientët me sklerozë multiple, me akses të barabartë në mjekime, diagnostikim të hershëm dhe mbështetje psikologjike.
“Unë besoj thellësisht se investimi tek shëndeti është investim për një të ardhme më të mirë. Nuk duhet të presim që sëmundja të përparojë për të ndërhyrë. Veprimi sot, shpëton jetë nesër.”
Ky mesazh vjen në një moment kritik, ku sistemi shëndetësor ka nevojë për vizion afatgjatë dhe orientim të qartë drejt modeleve të suksesshme. Fondacioni “Pema e Jetës” dhe z. Tanush Caushi janë gati të bashkëpunojnë me institucionet, mjekët dhe komunitetin për të ndërtuar një rrjet mbështetjeje që nuk lë askënd pas.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb