Skandali rreth punimeve të HEC Sasaj në burimet e lumit Kalasë në fshatin Tatzat po thellohet gjithnjë e më shumë. Sipas dokumenteve të siguruara nga Saranda Web, HEC Sasaj ka marrë vetëm një autorizim për riparimin e kanalit ekzistues, por videot e publikuara nga Saranda Web tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm.
Në terren, është evidentuar se HEC Sasaj po kryen gërmime me makineri të rënda dhe ndërtimin e kanaleve të reja, duke shkelur kështu autorizimin e marrë dhe duke ndërmarrë veprime që banorët i konsiderojnë të paligjshme. Këto veprime përfshijnë prerjen e pemëve, dëmtimin e luginës dhe shtratit të lumit, si dhe hedhjen e materialeve inerte në shtratin e lumit. Për më tepër, kanali ekzistues është zgjeruar, duke rritur kapacitetin e marrjes së ujit, çka shkakton shqetësim për ekosistemin e zonës dhe sigurinë e burimeve ujore për banorët.
Banorët e zonës kanë ngritur shqetësimet e tyre dhe kanë denoncuar publikisht HEC Sasaj për këto veprime abuzive. Ata theksojnë se ndërhyrjet e paautorizuara po dëmtojnë rëndë mjedisin dhe pasuritë natyrore të luginës së lumit Kalasë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të këtyre punimeve dhe përgjegjësi ligjore për shkeljet e kryera.
Megjithëse situata është alarmante dhe ka ngritur shqetësime të mëdha në komunitetin lokal, deri më tani Bashkia Delvinë nuk ka reaguar për këto shkelje dhe abuzime, duke lënë banorët të dyshojnë në përfshirjen e zyrtarëve të bashkisë Delvinë në këtë skandal.
Banorët irritohen nga qëndrimi i kryetarit të bashkisë Delvinë Besmir Veli – VIDEO