U kap duke vaditur parcelën me kanabis, arrestohet së bashku me vëllain

U kap në flagrancë duke vaditur bimët narkotike, vihet në pranga 35-vjeçari. Në pranga edhe vëllai i tij, i dyshuar si bashkautor.

Asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar, në territorin e fshatit Vrinë.

Sekuestrohen një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një armë gjahu, një sasi municioni luftarak dhe 3 aparate celulare.

Në vijim të kontrolleve intensive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve dhe në bazë të informacioneve të grumbulluara në kuadër të procedimit penal të referuar nga Policia e Sarandës në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fields”.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi i 35-vjeçarit Vilson Bushkola ., i cili u kap në flagrancë duke vaditur bimë të dyshuara narkotike, të kultivuara në një zonë të pyllëzuar, në territorin e fshatit Vrinë, Sarandë.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleksandër Bushkola, 38 vjeç (vëllai), i dyshuar si bashkautor në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit të banesës së këtyre dy shtetasve, në Shëndëlli, Konispol, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë narkotike të dyshuar narkotike kanabis, 3 aparate celulare, si dhe një armë gjahu me një sasi municioni luftarak, të cilën këta shtetas e posedonin me leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.

VIDEO

Please follow and like us:
fb-share-icon