U shua bilbili i Labërisë – Bujar Tabulla ndahet nga jeta në moshën 65-vjeçare
Një zë që mbante gjallë shpirtin e Labërisë u hesht përgjithmonë. Bujar Tabulla, një nga zërat më të dashur dhe të veçantë të këngës labe, u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë që e mundoi në vitet e fundit.
I lindur dhe rritur në Delvinë, Bujar Tabulla nisi të këndonte që fëmijë, duke u bërë edhe themeluesi i grupit të qytetit “Djemtë e Delvinës” ku spikati me zërin e tij të ngrohtë, të pastër dhe plot emocion. Breza të tërë e njohën si “bilbilin e Labërisë”, një nofkë që nuk iu dha kot, por e fitoi me shpirt e talent, me pasionin dhe përkushtimin që i dha këngës polifonike shqiptare.
Jeta e tij nuk ishte vetëm këngë. Me përulësi dhe dinjitet, Bujar Tabulla shërbeu për vite me radhë në ndërmarrjen e pyjeve, duke i qëndruar afër natyrës, me të njëjtën dashuri me të cilën i këndonte asaj. Ai ishte njeri i thjeshtë, punëtor, i dashur për komunitetin dhe mik i të gjithëve.
Humbja e tij lë një boshllëk të thellë në kulturën labe, në Delvinë dhe më gjerë. Por zëri i Bujar Tabullës do të jetojë në çdo këngë që ai këndoi, në çdo kujtim që lë pas, në çdo zemër që ai preku me artin dhe fisnikërinë e tij.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të mbahet në Delvinë në orën 15:00
Ngushëllime familjes Tabulla, miqve dhe të gjithë atyre që e deshën. Zëri i Bujarit nuk do të harrohet – ai do të vijojë të jetojë në çdo varg kënge që ai këndoi me shpirt.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb