VALLJA ÇAME, SI SHPËTOI OSMAN TAKA NGA LITARI, nga Shpresa Dine

VALLJA ÇAME, SI SHPËTOI OSMAN TAKA NGA LITARI, nga Shpresa DINE

Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Që edhe pse valle përsëri ajo ka vlerat e veta. Një valle që të sjell në kujtesë atë, Osman Takën, djaloshin e bukur nga Konispoli i largët, që prezenca e tij tërë sqimë dhe bukuri burrërore me veshje aristokrate, nuk i kishte lejuar dot atentatorët që të qëllonin mbi të, Osman Takën, që u përjetësua për faktin se para litarit kërkesa e fundit e tij ishte : – Para se të vdes më jepni një krehër dhe pastaj më sillni sazet e më lejoni të kërcej një valle”. Kaq duhej që ai të përjetësohej dhe që pikërisht kjo valle e kërcyer prej tij të bëhej shkak që ai… Osman Taka, të shpëtonte nga litari.


Por vitet kaluan, sazexhinjtë e Konispolit i binin muzikës, por askush nuk e kishte kërcyer dot deri atëherë vallen. Do të ishte, Taip Madani ai, që me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në tetor 1978, e bëri vallen e Osman Takës, një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të atyre viteve, prandaj dhe shtypi i kohës do të shkruante për të: – Është një valltar korife, i paarritshëm, elegancë e pakrahasueshme, plasticitet i paparë….


Ish mësuesi i shkollës së Mesme Bujqësore të Konispolit, Taip Madani, kënaqet por njëkohësisht krenohet dhe nuk nguron të të tregojë kur e pyet për vallen e Osman Takës. Ai të flet me pasion dhe pa u lodhur për momentet e lodhshme kur ka mësuar këtë valle… Që vërtetësisht është brilante, vallen që do ta bënte atë, mësuesin e lëndëve bujqësore të shkollës së mesme… Tashmë të njohur edhe si valltarin që nxorri nga thellësia e viteve… Dhe vuri në skenë atë që nuk njihej deri më ato vite, vallen e Osman Takës… Valle kjo që e shpëtoi kërcimtarin Osman Taka nga vdekja e sigurtë e litarit. Por kërcimtari i kësaj valleje, Tapi Madani, nuk “ mashtron ” kur thotë se, – edhe pse valle e vështirë… Jam në gjendje ta kërcej edhe sot, në këtë moshë që jam… Ndoshta jo me atë elegancën dhe bukurinë e atyre viteve, se… Natyrisht, çdo gjë me moshën, por megjithatë e kërcej dhe mirë, ama.


Nisja është e qetë, i shkon orkestrës pas duke u harmonizuar tërësisht me të. Nis vallja me hap të thjeshtë dhe vërtet thua se diçka do të bësh. Në mbarim të strofës së parë muzikore valltari me kokën dhe dorën duke e lëvizur paksa përpara të jep atë se diçka do të bëhet. Dhe çudi, kjo valle sa mjedis të ngushtë të ketë aq më bukur dhe më mirë kërcehet, qoftë edhe mbi një tavolinë. Dora është në harmoni me muzikën dhe lartësinë e fytyrës dhe drejtim të syrit të djathtë. Vendoset pastaj dora mbas koke pa e zënë veshin e djathtë. Në valle çdo gjë është e lidhur me tokën, me truallin: Hajde Osman Taka… Bukurinë tënde të kisha… Trimërinë tënde të kem… Hidhu Osman Takë. Kulmin vallja e arrin kur valltari bën urën dhe atëherë vargjet thonë: Ngrihu Osman Takë… Veshi papuçet, Hidhu… Bukurinë tënde të kem… Levendllëkun tënd të kem… Prrush e zjarr, o Osman Takë.


Në Festivalin Folklorik në Gjirokastër në 1973 spikerja prezantoi, Vallja e Konispolit, menjëherë profesori i folklorit, Zihni Sako, që ndodhej në kalanë e Gjirokastrës ku bëhej Festivali reagoi: – Jo e Konispolit, por Valle e Osman Takës.
Në intervistën me valltarin Taip Madani, gjithmonë duke qeshur, karakteristikë kjo e tij që duket e pamë qartë gjatë gjithë bisedës, mësojmë se :

  • A mund të na tregoni se kur ka qenë ngacmimi juaj i parë për vallen çame në tërësi dhe natyrisht edhe atë të Osman Takës?
  • Ngacmimi i parë për vallen popullore çame, tregon Taip Madani, më ka ardhur në fshatin tim, në Shalës, kur isha veçse 8 – 9 vjeç. Aty rreth viteve 1957. Për herë të parë si muzikë vallen e Osman Takës e kam dëgjuar të fërshëllyer nga një çoban. Isha fëmijë, shkoja me keca dhe kur e kam dëgjuar si muzikë më ka pëlqyre shumë dhe m’u fiksua keq. Hasan Kadriu quhej ai që e fërshëllente atë, por çuditërisht e fërshëllente në mënyrë të përkryer. Por do të përmendja edhe disa valltarë popullorë të fshatit… Qejflinj të muzikës dhe këngës popullore, moshatarë të babait tim, si Braho Selameti, Levendi, Xhemali Zania, apo edhe Sabriu nga Filati… Që gramafonët që kishin i vinin dhe dëgjonin këngët në lagje. E kam parë që e ka kërcente bukur këtë valle nga Xhemali Zania.
  • Sa punoi ai me ty për të të mësuar vallen?
    Ai punoi 1 muaj me grupin në përgjithësi, por me mua punoi vetëm 3 ditë. Dhe unë e përvetësova mirë vallen. E vërteta është qe e kisha marrë me shumë qejf këtë valle.
    Në pranverën 1973 bëmë një grup gjithëpërfshirës nga tërë fshatrat e krahinës sonë. Grupi i Konispolit ishte dinjitoz. U përzgjodh elementi, veshja popullore, zërat, materiali dhe teksti, jo i sajuar, por ai burimor. Mbaj mend që në atë kohë u aktivizuan të moshuara nga fshati… Që morën përsipër për të mësuar të rejat që ato të kërcenin vallen çame… “Me kadale vallen – o”, ose “ Kjo hardhi e rrushit ballkonë më ballkonë ”… Me atë stilin e vet delikat dhe të veçantën e saj. Kjo sepse vallen çame nuk e kërcejnë dot të gjithë. Të rralla janë ato femra që mund ta kërcejnë atë. Është përpjekur Liliana Çingu për ta imituar vallen çame dhe nuk e ka arritur dot.
  • Cili është stili i valles ?
    Në Gjirokastër janë pasqyruar shumë vlera të folklorit tonë popullor. Kur kam dalë në skenë kam parë se krijuam një dashuri skenike unë me grupin e orkestrës. Duartrokitjet ishin të pandërprera. Sa mirë u lidh orkestra me mua atë ditë. Nuk do ta përsërisja dot më atë që bëra atë ditë. Harrova që kishte publik. Kisha vetëm tre shokë që kërceja dhe orkestrën, që luanim të tërë sëbashku në harmoni të plotë. Pata dy duartrokitje. Të parën nuk e ndjeva, por të dytën e ndjeva aq shumë sa që për mua do të jetë i paharrueshëm ai moment.
  • Kur mbarova së kërcyeri vallen jemi hedhur nga skena. Në moment vjen maestro Kanaçi dhe më kapi për mezi… Në moment Jani Thomagjini nga entusiazmi i thotë që na ler të lutem, por maestro Kanaçi i kthehet dhe i thotë:. Deri tani e kishit ju, ju lutem, tani kam unë punë me këtë.
    Këtë valle e luajnë edhe grekët, edhe maqedonasit, bullgarët, jugosllavët, por të gjithë e quajnë “ Valle e Osman Takës “. Madje shkolla koreografike e Janinës e jepte edhe tekstin shqip. Siç e ka vlerësuar Anastas Kondo “ Vallen e Osman Takës ” , apo Panajot Kanaçi në kuptimin e kërcimit… Xhevahir Spahiu, Bekim Harxhi, kjo valle është cilësuar në shtypin e shkruar:. – Ky djalë nga Konispoli e kërceu këtë valle më mirë se sa është kërcyer në Greqi, Bullgari dhe Rumani.
  • Si jeni cilësuar atëherë në shtypin e kohës?
  • Korife, i paarritshëm, elegancë e pakrahasueshme, plasticitet i paparë…
  • Çfarë çmimi keni marrë në Gjirokastër?
    Kam marrë çmimin “ Laureat i Festivalit “… Dhe nga komisioni qendror kam marrë si individ vlerësim të veçantë. Atëherë jepeshin veprat e Enverit, mua më dhanë 10 vepra të tij… Një pagë suplementare prej 40 mijë lekësh ( gjithmonë me lekët e atyre viteve )… Por 40 mijë lekë nuk ishin pak. Dhe kur shkova në koncertin qeveritar drejtori i teatrit të operas dhe baletit… Mustafa Gërxalliu, urdhëroi ata të llogarisë për të më bërë një kostum.
  • Sa herë ka dalë Taip Madani me këtë valle në skenë?
    Shumë herë, dhe për shumë vite.
    Mbas 1973 kam qenë i kërkuari dhe i proferuari edhe në ansamblet e shumë qyteteve, si në Vlorë, Ballsh, Gjirokastër dhe në Durrës.
  • Po jashtë shtetit keni shkuar me këtë valle?
    Patjetër. Në 1978 kam qenë me ansamblin e shtetit me një turne në Greqi. Nuk kisha besim se do të shkoja. Vallen e kam kërcyer me djemtë e ansamblit të shtetit. Ata më kanë respektuar. Në Janinë, sa spikeri ka prezantuar vallen e Osman Takës dhe e kërcen valltari popullor nga Konispoli, Taip Madani, publiku filloi të duartrokiste. Kur ka mbaruar vallja ajo është duartrokitur mjaft entuziaste. Nga duartrokitja më detyruan ta kërceja për herë të dytë vallen. Më erdhën shumë buqeta me lule. Por edhe një buqetë e veçantë dhe një dhuratë po e veçantë me Urën e Artës, po kështu edhe në Prevezë, madje kryetari i bashkisë më nisi një buqetë me lule me mbishkrimin : Valles së Osman Takës.
  • Si është stili i valles, dhe ku është e veçanta e kësaj valleje?
    Së pari duhet të themi që vallja e Osman Takës është një valle tradicionale çame, me të gjithë elementët çamë. Kërcehet me shumë perifanllëk, me shumë elegancë. Është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen por edhe me ata që i bien veglave muzikore. Ka interpretim me dorë, me shikim, me gjoks të hapur të dalë pak përpara, me trup ku vetë kërcimi të ngre, të ngre, je në tokë por është valle që të lartëson, pra është valle e erës, e merr burimin, vrullin nga toka, duke u rritur kështu vallja në mënyrë shumë madhështore.
  • A të ka nxitur kurioziteti të dish se çfarë ka qenë Osman Taka?
    Natyrisht, që në fillim për këtë kam kërkuar të di. Kjo valle është e Epirit, por quajt valle e Osman Takës, atëherë kur valltari patriot Osman Taka nga Konispoli, patriot i kohës e kapin dhe e burgosin në burgun e Janinës. Atje e dënojnë me varje. Por para se ta varnin e pyesin se cila ishte dëshira e tij e fundit: Dua, tha, orkestrën dhe t’í bien një valleje dhe zgjodhi pikërisht këtë valle çame, kërkoi gjithashtu edhe një krehër, se ai, thonë, ka qenë shumë i bukur. Del Osman Taka para valiut të Janinës dhe bashkë me të ndodhej edhe gruaja e valiut. E ka kërcyer vallen shumë bukur,sa që nga bukuria trupore, shkathtësia dhe zhdërvjelltësia në valle bëri saqë vajza e valiut, sa nuk u rrëzua nga dritarja. Dokumenta arkivorë të Janinës thonë realisht që pas kësaj valleje e shoqja e valiut i thotë të shoqit : – Ky burrë nuk duhet të prishet, pra nuk duhet të vritet. Dhe vërtetësisht ai u fal. Dhe që nga ajo ditë kjo valle u quajt Vallja e Osman Takës.
  • Po me rrapin në Konispol çfarë lidhje ka Osman Taka?
    Këtë valle Osman Taka e kërcyer edhe tek rrapi shekullor në Konispol. Dhe për rrjedhojë kur ai e ka kërcyer vallen në një degë të tij ishte varur një litar, dhe u quajt valle në litar. Pra në një anë rrinte litari i varur, në krahun tjetër rrinin xhandarët, dhe Osman Taka kërcente vallen.
  • Ç’lidhje kishte litari i varur?
    Kjo pasi autoritetet e kohës e lejonin atë për të kërcyer dhe jo për t’u marrë me aktivitet patriotik, duke i thënë se në të kundërt, ja ku është litari, dhe mund edhe të të varim. Dhe kjo për t’i treguar edhe popullit që vërtet Osman Taka shpëtoi, por litari ja ku është. Por me sa di unë ai nuk hoqi dorë nga aktiviteti patriotik. Paguan njerin për ta vrarë atë. Ai i ka dalë përpara matanë Qafë Botës. Dhe kur ai ka parë Osman Takën me fustanellë, me jelek dhe me një pushkë mes për mes këmbëve. Del nga prita dhe në çast Osman Taka që e kuptoi qëllimin e tij iu drejtua dhe I tha: E pse nuk më re. Nuk mund të të bie, iu përgjigj ai, por më kanë paguar për të të vrarë. E unë këtë nuk do ta bëj kurrë kundër teje.
  • A keni arritur që të mësoni ndonjë grup për këtë valle?
    Po , kam përgatitur disa grupe në Konispol.Një grup djemsh kanë konkuruar edhe në Berat dhe madje edhe u vlerësuam me çmim. Pas meje e ka kërcyer mirë këtë valle Vullnet Dine nga Konispoli.
  • Ti sot e kërcen dot këtë valle?
    E kërcej, por jo në atë plastikë. Megjithatë e kërcej dhe për moshën që kam mbase do të ketë vlera, jo si të asaj kohe, por them se do të ketë vlera.
  • A ka arritur ansambli i këngëve dhe i valleve popullore ta kopjojë këtë valle?
    Ansambli i këngëve dhe valleve popullore këtë valle e ka përvetësuar dhe e ka vënë në programet e tij. Unë vetë si kërcimin çam të burrave dhe atë të vajzave me profesor Sadik Batkun e kam vënë në shkollën koreografike që të mësonin mënyrën e të kërcyerit çam. Në ansambël kur vihej në skenë gjithmonë më ftonin mua, se i madhi Besim Zekthi dhe Panajot Kanaçi kishin mendimin absolut, kjo valle i ka vlerat kur e kërcen Taip Madani.

KUSH ISHTE OSMAN TAKA:

Ka lindur në një nga familjet më të pasura të Konispolit rreth viteve 1848 – 1887, ku u edukua me idetë e Rilindjes Kombëtare. Ishte organizator i kryengritjeve me armë të krahinës kundër pushtuesve turq. U shndërrua si veprimtar i lëvizjes kombëtare për çlirim nga zgjedha osmane. U bashkua me lëvizjen e përgjithëshme antiosmane dhe luajti një rol të rëndësishëm në degën e Lidhjes së Prizrenit në Prevezë. Arriti të bëhej një nga krerët më të rëndësishëm të kryengritjeve antiosmane dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Autoritetet osmane që e ndiqnin e kapën dhe e burgosën në befasi, pasi organizuan kundra tij disa atentate. Atentatorët nuk e qëllonin për arësye të prezencës së tij të bukurisë burrërore dhe veshjeve aristokrate. Ka qenë njëkohësisht valltar i njohur popullor. Tregojnë se kur e dënuan me varje tek rrapi i Konsipolit ai shprehu një dëshirë për të kërcyer një valle para litarit. Ajo valle e lozur me mjeshtëri të rrallë prej tij mahniti të pranishmit, midis tyre gruan e nënprefektit, Prefektin, komandantin e xhandërmarisë, personalitete të tjera. Që nga ajo kohë vallja e kërcyer prej Osman Takës para litarit ka ngelur një nga vallet më të bukura të Çamërisë... E cila ka arritur deri në ditët tona... Madje duke u quajtur edhe Vallja e Osman Takës. Shpresa DINE

Please follow and like us:
fb-share-icon