“Vetëm sa i sajojnë” – Denoncimi për matësit e vjetër elektrikë ngre alarm në Sarandë. Një denoncim në Saranda Web ka nxjerrë në pah një problematikë që, sipas qytetarëve, prek shumë pallate të vjetra në Sarandë: përdorimi i matësve dhe paneleve elektrike tepër të amortizuara, të cilat banorët i cilësojnë si “sahatë të kohës së Enver Hoxhës”.

Pamjet tregojnë panel elektrik në gjendje alarmante, me kabllo të ekspozuara, lidhje të improvizuara dhe struktura të dëmtuara që, sipas banorëve, prej vitesh vetëm “sajohen” pa u zgjidhur kurrë realisht problemi.
“Vetëm në Sarandë vazhdohet të operohet me sahatë të kohës së Enver Hoxhës. Nuk përdorim dot kondicioner dhe lavatriçe në të njëjtën kohë sepse bie automati. Çdo vit merr flakë dhe vetëm sa e sajojnë”, shprehet qytetari për Saranda Web.
Është e papranueshme që familje të tëra të jetojnë me frikën se një shkëndijë mund të kthehet në tragjedi, ndërkohë që faturat e energjisë paguhen rregullisht dhe qytetarëve u kërkohet korrektësi maksimale. Ndërsa Saranda reklamohet si destinacion turistik europian, shumë banorë vazhdojnë të kenë infrastrukturë elektrike të viteve ’70-80.
Banorët shtrojnë pyetjen: deri kur do të tolerohen këto kushte të rrezikshme? A duhet të ndodhë një zjarr apo një ngjarje e rëndë që institucionet të reagojnë seriozisht?
Qytetarët kërkojnë reagim urgjent dhe investime serioze për zëvendësimin e matësve dhe infrastrukturës së amortizuar elektrike në pallatet e vjetra të Sarandës, përpara se situata të përfundojë në ndonjë ngjarje të rëndë.
Kjo situatë nuk është thjesht shqetësim estetik, por çështje sigurie publike.
Tashmë pritet reagimi i OSHEE Group dhe institucioneve përgjegjëse për të verifikuar urgjentisht rastet dhe për të sqaruar pse në Sarandë vazhdojnë të funksionojnë instalime që rrezikojnë jetën e qytetarëve. Saranda Web








