Megjithëse afati i përfundimit të punimeve në Syrin e Kaltër ishte vendosur 1 Maji, edhe në ditët e korrikut punimet nuk kanë përfunduar ende, duke bërë që vizitorët të përballen me shumë vështirësi. Parkingu i automjeteve gjithashtu nuk ka përfunduar dhe vizitorët përballen që në mbërritje me kaosin e parkimit në dy anët e rrugës.
Treni elektrik i premtuar me shumë bujë nuk duket asgjëkund dhe vizitorët janë të detyruar ta përshkojnë distancën prej afër 2 km deri te burimi i Syrit të Kaltër dhe në kthim me këmbë. Tualetet megjithëse kanë përfunduar, dyert e tyre qëndrojnë të mbyllura.
Një tjetër problematikë mbetet zhytja në ujë, pavarësisht se janë vendosur tabela që ndalohet zhytja në ujë, vizitorët nuk e respektojnë këtë rregull dhe mungon ndonjë person përgjegjës për zbatimin e këtij rregulli.
Akoma më e vështirë është situata për vizitorët e moshave të treta, të cilët ankesat e tyre janë të detyruar t`i shprehin te punonjësit e Parkut, të cilët nuk kanë asnjë përgjigje për ta, por thjesht presin nga vizitorët pagesën e biletës së hyrjes prej 50 lekë për person.
Jashtë kamerës punonjës të Parkut dhe administratorë të bizneseve të shërbimeve në Syrin e Kaltër shprehen se të gjitha këto problematika kanë bërë që numri i vizitorëve në Syrin e Kaltër këtë vit të shënojë ulje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar.