Vrau me thikë bashkëshorten, gjendet i varur në qëlinë e paraburgimit
Është gjetur i vetëvarur në qelinë e paraburgimit turisti amerikan Brendon Ronald Saporito. 57-vjeçari u arrestua në Shkodër nga policia, pasi më 2 maj, teksa ishte në gjendje të dehur, vrau me thikë bashkëshorten e tij, Sandra Saporito.
“Në IEVP Shkodër, më datë 28 tetor 2025, i paraburgosuri Brendon Ronald Saporito është gjetur i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit. Punonjësit e institucionit e kanë nxjerrë me puls dhe me shenja jete drejt urgjencës, ku stafi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga Spitali i Koplikut dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, i paraburgosuri nuk ka arritur të mbijetojë. Brendon Ronald Saporito, i datëlindjes 22.04.1968, i biri i Joesph Binald Saporita dhe Marichea (Klein) Saporita, ndodhej në IEVP Shkodër për efekt të vendimit të Gjykatës Shkallës Parë Shkodër, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ai ishte arrestuar më 02.05.2025 dhe ishte sjellë në institucion më 04.05.2025:,- thuhet në njoftimin zyrtar.
Ngjarja i është raportuar autoriteteve kompetente, dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave. Drejtoria e IEVP Shkodër po bashkëpunon ngushtë me Prokurorinë dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Burgje për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Çifti amerikan kishte marrë një banesë me qira në lagjen historike të Shkodrës, Gjuhadol. Mëngjesin e të premtes që lame pas, rreth orës 10:00, Brendon e qëlloi disa herë me thikë partneren në banesë duke i marrë jetën.
Dyshohet se autori i dyshuar i krimit në gjendje të dehur ka goditur 54-vjecaren me thikë dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës në kushtet e tronditjes psikologjike, duke prerë damarët.
Mësohet se çifti i turistëve ndodheshin në Shqipëri prej pesë ditësh. Nga profili në Facebook i autorit, shihet se kanë hyrë në Rinas më 27 Mars, ndërsa në foton e publikuar, Sandra Saporito shkruan se kanë mbërritur shëndoshë e mirë në Tiranë dhe ndodhen të ulur në ambietet e një bar kafeje. Ata ishin nisur në drejtim të Shqipërisë nga aeroporti i Miamit, në datën 26 mars. Ndërkohë motivet e krimit mbeten të paqarta.









