Zjarri në Bregas/ Banorët në luftë me flakët, kërkojnë ndërhyrje nga ajri. Zjarri që ka përfshirë zonën e Bregasit, në Bashkinë Finiq, vijon të përhapet me shpejtësi, ndërsa terreni i thyer dhe era e fortë po e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Në vendngjarje po punojnë mjete dhe efektivë zjarrfikës nga Bashkia Finiq, Sarandë dhe Delvinë, por aksesi i kufizuar në zonën ku kanë avancuar flakët nuk u lejon atyre të afrohen në vatrat kryesore të zjarrit.
Banorë të zonës janë bashkuar me ekipet në terren dhe po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve me mjete rrethanore, ndërsa apelojnë për një ndërhyrje urgjente nga ajri, pasi sipas tyre kjo është e vetmja mënyrë për të vënë nën kontroll zjarrin.
Deri në këto momente nuk raportohet për banesa të përfshira nga flakët, por situata mbetet shqetësuese dhe rreziku për zgjerimin e zjarrit është i lartë nëse era vazhdon me të njëjtin intensitet. Autoritetet vijojnë operacionin për izolimin e vatrave dhe po monitorojnë zhvillimin e situatës.








